Huruglica: Në Jarinë hyjnë mallrat deri në 3.5 ton
Prishtinë, 19 dhjetor - Ministria e Punëve të Brendshme, por edhe Doganat e Kosovës, kanë reaguar ndaj deklaratave të palës serbe, të cilët kanë thënë se është arritur marrëveshja për mosdoganim të mallrave serbe të cilat hyjnë në pikën kufitare në Jarinë, duke thënë se nuk është arritur marrëveshja për doganim, por për lejim të hyrjes së mallrave serbe deri në 3.5 ton në atë pikë.
Grupi teknik përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes së menaxhimit të integruar të kufirit, pas kthimit nga Brukseli ka organizuar një konferencë për shtyp me ç rast kanë qartësuar temat që janë diskutuar në Bruksel mes palës serbe, kosovare dhe BE-së.
Fisnik Rexhepi, anëtar i këtij grupi, ka qartësuar se deklaratat e palës serbe lidhur me marrëveshjen për rregullimin e sistemit doganor, duke thënë se është kërkuar një mirëkuptim vetëm gjatë periudhës së festave të fund vitit.
Ajo çka ka deklaruar pala serbe pas takimit se kinse ka një marrëveshje për rregullimin e sistemit doganor, absolutisht është e pavërtetë dhe palët kanë diskutuar dy ditët e fundit në Bruksel për një mirëkuptim, për kohën e festave të fund vitit. Do të thotë krishtlindjet katolike, pastaj viti i ri dhe krishtlindjet ortodokse dhe kjo përfundon me 10 janar, ka thënë ai.
Edhe drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica ka mohuar zërat se në pikën kufitare në Jarinë, nuk po doganohen mallrat serbe, duke thënë se bëhet fjalë për mallra të sasisë deri në 3.5 ton, e të cilat nuk kanë për synim tregtinë, apo kontrabandën, por furnizimin me ushqim dhe gjësende tjera për banorët e asaj pjese.
Nuk ka marrëveshje për mos tatimim, ka marrëveshje për lejim, ta kemi të qartë për të lejuar për të hyrë në territorin tonë. Dhe kjo që është përmend 3.5 ton e ka pas për synim për ta definuar që deri në këtë masë mund të ketë nevoja për tregti të vogël dyqanesh, ose mund të ketë nevoja familjare, që mund të blejë gjëra ushqimore për dasmë, apo ndonjë aktivitet familjar. Nuk thotë decidivisht 3.5 ton, por deri në 3.5 ton. Kjo mbetet në kompetencën e zyrtarëve doganorë që të konstatojnë se është apo nuk është ajo për tregti të paligjshme ose si kontrabandë në ndonjë vend tjetër, ka thënë ai.
Huruglica ka thënë se në Bruksel është biseduar edhe për çështjen e neglizhencës së autoriteteve serbe sa i përket infrastrukturës në pjesën serbe, pasi që sipas tij atje nuk ekzistojnë kushtet për zbatimin e marrëveshjes së IBM-it.
Ne nuk do të shkojmë në këtë fazë me implementimin e dhunshëm në mbledhjen e taksës, sepse edhe po të donim ne nuk kemi si ta bëjmë në këto kushte kur mungojnë kushtet e punës në Jarinë. Pala serbe janë vonuar me kompletimin e atij vendkalimit siç kemi pritur. Nuk është falje, nuk është lirim, ka thënë ai.
Grupi teknik përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes së menaxhimit të integruar të kufirit po ashtu, tha se gjatë dy ditëve të fundit në Bruksel është biseduar edhe për çështjen e kalimit të mallrave që ndërlidhen me fushën e veterinës dhe fitosanitarisë, ku sipas tyre i është bërë presion palës serbe për pengesat që iu ka bërë bizneseve kosovare sa i përket importit përmes Serbisë, duke mos i njohur dokumentet e lëshuara nga Agjencioni i Veterinarisë.
Sipas tyre, BE-ja ka kërkuar nga autoritetet serbe që ta ndryshojnë rregullativën e tyre ligjore në mënyrë që tu mundësohet bizneseve kosovare importi dhe eksporti i produkteve, në dhe përmes territorit të Serbisë.
Po ashtu, sipas tyre, është biseduar edhe për funksionalizimin e sistemit elektronik të shkëmbimit të të dhënave doganore, ku janë pajtuar që ky të realizohet përmes një projekti të BE-së.
Ndërsa u mësua se më 31 dhjetor 2012 do të fillojë të zbatohet marrëveshja e IBM-it edhe në Bërnjak dhe Dheu i Bardhë, ndërsa ne Mutivodë dhe Muqibabë, një gjë e tillë do të realizohet më 28 shkurt 2013.