Huruglica: Kontrabanda me mallra në veri po shënon rënie
Prishtinë, 22 dhjetor - Drejtori i Doganave të Republikës së Kosovës, Naim Huruglica, në intervistë për DW ka thënë se pala serbe po e interpreton gabimisht marrëveshjen për IBM pasi që mallrat që hyjnë nga Serbia në veri të Kosovës, nuk lirohen nga taksat.
"Pala serbe e intepreton gabimisht. Ekziston një dallim thelbësor në interpretimin e legjislacionit. Sipas kodit doganor, që ne e aplikojmë për momentin kur bëhet regjistrimi i një malli në territorin e Kosovës, automatikisht ajo palë ka krijuar një borxh doganor ndaj qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ligji doganor na jep ne të drejtë që deri në një afat prej tre vjetësh ta kërkojmë atë borxh."
"Arsyeja pse nuk po arrijmë tash t'i mbledhim këto taksa është infrastruktura jo adekuate, sepse nuk kemi ndonjë bankë aty afër, apo agjentë doganor që punojnë dhe që mund të na ndihmonte në procesin e mbledhjes së taksave. Në çdo terminal tjetër doganor, zhdoganimi po bëhet përmes shpedicioneve", ka theksuar Huruglica.
Ai ka thënë se nuk ka ndonjë marrëveshje tjetër prej asaj që është arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel për menaxhim, nga e cila ka dalë edhe protokolli teknik.
"Na çfarë jemi duke bërë tash është implementimi i asaj marrëveshjeje, qënjeh dy palë në dialog, palën kosovare dhe atë serbe dhe Bashkimin Evropian, i cili përmes misionit EULEX, po e luan rolin e palës ndërmjetësuese, monitoruese të zbatimit të marrëveshjes", ka theksuar Huruglica.
Ndërsa në pikën kufitare me Serbinë në Merdare sipas tij gjithçka është duke shkuar mirë, në veri të Kosovës ka pasur pak probleme, sepse pala serbe akoma nuk ka arritur ta kompletojë vendkalimin kufitar ashtu siç ka qenë marrëveshja, që do të thotë akoma nuk është arritur të ndërtohet një objekt ashtu siç jemi marrë vesh.
"Të gjitha mallrat që janë komerciale, ne i regjistrojmë në pikën kufitare në Jarinje dhe i udhëzojmë subjektet që të vijnë në terminalin doganor në pjesën jugore të Mitrovicës. Arsyeja është se ne nuk kemi terminal në pjesën veriore ku mund ta kryejmë këtë zhdoganim."
Faktikisht sipas Huruglices një pjesë e madhe e këtyre mallrave vijnë për zhdoganim në terminalin në Mitrovicë, por një pjesë e tyre nuk janë duke ardhur, dhe këtu kemi të bëmjë me produkte kryesisht ushqimore.
"Por ekziston një dallim shumë i madh prej asaj që po interpretohet nga marrëveshja. Nuk ka ndonjë marrëveshje për lirim nga zhdoganimi, sepse nuk e lejon legjislacioni i brendshëm, por ka një marrëveshje për të pasur leje për t'u futur në territorin e Republikës së Kosovës, gjë që deri tani nuk ka ekzistuar për mallrat nga Serbia", ka theksuar Huruglica.