Hryvnia ukrainase arriti nivelin e saj më të ulët

Kiev, 17 nëntor - Monedha ukrainase, Hryvnia dje në treg, arriti nivelin e saj më të ulët dhe parashikohet që në ditët në vazhdim të zhvlerësohet mbi 10 ose 20% përballë dollarit amerikan.
Në vitin 2008 Hryvnia, kishte humbur 60% të vlerës së saj, por me përpjekjet e Bankës Qendrore të Ukrainës, monedha e kishte mbledhur disi veten këto 4 vitet e fundit.
Por për shkak të tkurrjes që është vënë re në eksportin e zërave kryesorë si hekur, çelik dhe makineri dhe për shkak të importit të shtrenjtë të gazit natyror, Ukraina vuan sërish nga rritja e shpejtë e deficitit primar.
Dhe kjo e bëri të pashmangshëm zhvlerësimin që pritej prej një kohe të gjatë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), vitin e kaluar kishte pezulluar paketën e ndihmës prej 15 miliardë dollarësh, pasi udhëheqja e Kievit nuk kishte marrë në konsideratë vendimet rekomanduese.
Pritet që FMN ti rekomandojë Ukrainës të kalojë në sistemin lundrues valutor dhe ti kërkojë të bëjë reforma strukturore, që mundësisht përmbajnë receta të hidhura për Kievin.
Por udhëheqja ukrainase nuk do që ti përdorë rezervat e valutës për të stabilizuar kursin e këmbimit. Me sa duket Kievi ka lejuar një devalucion gradual duke mbajtur një qëndrim të butë ndaj ndërhyrjes së drejtpërdrejt në valutë me qëllim për tu ulur përsëri në tryezën e bisedimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar.