Homologimi i veturave dhe falja e borxheve kane dëmtuar konkurrencën
Nora Latifi – Jashari, Drejtoreshë Ekzekutive në Institutin GAP, theksoi se krijimi i monopolit në homologimin e veturave dhe falja e borxheve ndaj ambalazhuesve të ujit, janë dy vendime të ndara të Qeverisë së Kosovës të cilat kane dëmtuar konkurrencën, kanë anashkaluar Kuvendin e Kosovës dhe kanë favorizuar vetëm një kategori të bizneseve private në dëm të interesit të përgjithshëm të qytetarëve.
Të dy këto vendime janë marrë në kundërshtim me ligjet në fuqi, andaj përveç se duhet të revokohen ato duhet të hetohen nga organet kompetente.
Monopoli në homologimin e veturave daton që nga fundi i vitit 2008, kur Ministria e Transportit dhe Post – Telekomunikacionit (tash Ministria e Infrastrukturës) ka nënshkruar një kontratë ekskluzive me kompaninë “ Eurolab” për homologimin e veturave që regjistrohen për herë të parë ne Kosovë, për veprimtari ekskluzive dhjetëvjeçare për periudhën 2009-2019.
Përveç shmangies së konkurrencës në dhënien e kësaj kontrate dhe caktimin e çmimeve të homologimit në mënyrë arbitrare, në bazë të Udhëzimit administrativ për homologimin e automjeteve nr.2008/08, janë bërë edhe një sërë shkeljesh ligjore.
Berat Thaqi, Analist Politikash në Institutin GAP, prezantoi të gjeturat e raportit mbi homologimin e veturave dhe faljen e borxheve publike.
Në bazë të udhëzimit të lartpërmendur pronarët e automjeteve obligohen që kontrollin e parë teknik ta kryejnë tek institucioni i autorizuar për homologim.
Përveç monopolit në homologim dhe kontrollin e parë teknik, ky udhëzim administrativ krijon një monopol të tretë, e përcakton qendrën e autorizuar për homologim, mbikëqyrëse të qendrave të kontrollit teknik të automjeteve.
Rast i ngjashëm i shkeljes së ligjeve përbën edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 3 tetor 2017 për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit.
Ky vendim është në kundërshtim me përcaktimin e pronësisë së burimeve ujore të Republikës së Kosovës, sepse nga ky vendim ka përfituar një grup shumë i vogël nga një pasuri shtetërore.
Gjithashtu, sikurse në rastin e homologimit, Qeveria e Kosovës përmes vendimeve të saj është ne kundërshtim të drejtpërdrejt me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
Z. Rexhep Kadriu, Zëvendës Ministër në Ministrinë e Infrastrukturës, tregoi se kabineti i tanishëm qeveritar dhe Ministria e Infrastrukturës janë të gatshëm që të bëjnë liberalizimin e tregut si dhe plotësimin dhe ndryshimin e akteve ligjore.
Për momentin ministria është duke përgatitur udhëzimin administrativ i cili edhe gjendet në debat publik deri më datë 6 dhjetor 2017, ku të gjithë ekspertët e lëmisë së komunikacionit dhe anëtarë të shoqërisë civile janë të ftuar që të japin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.
Ai vlerësoi rekomandimet e dala nga raporti i Instituti GAP dhe gjithashtu theksoi se si ministri do të bëjnë publike të gjitha kontratat dhe marrëveshjet e nënshkruara në mënyrë që të kemi një transparencë më të mirë sa i përket kësaj çështjeje.
Z. Valon Perstreshi, Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), tregoi për ankesat e pranuara nga Avokati i Popullit, shoqëria civile dhe mediat për hetim të tregut të homologimit të automjeteve, si treg i monopolizuar në këtë fushë.
Në fillim të vitit 2017, AKK ka filluar monitorimin e këtij tregu, fillimisht duke mbledhur të dhëna nga institucionet gjegjëse përkatësisht nga Ministria e Infrastrukturës.
AKK është duke e trajtuar këtë lëndë në mënyrë të veçantë dhe së shpejti do të dal me rekomandime dhe me vendim për t’ia dhënë një verdikt final kësaj dukurie, por vetëm në aspektin e politikës së konkurrencës.
Ai gjithashtu theksoi se AKK inkurajon institucionet qeveritare se kurdo që preket fusha e konkurrencës të konsultohen paraprakisht me AKK, për marrje të vendimeve profesionale dhe ligjore.
Në debat kontribuuan edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile.
Raportin e plotë për homologimin e veturave mund ta gjeni të bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar këtu, ndërsa reagimin për faljen e borxheve të ujit mund ta gjeni këtu.