Hapet Qendra për Shërbime të Biznesit
Prishtinë, 15 maj - Me qëllim të ngritjes së transparencës dhe ofrimit të shërbimeve në një vend, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila së bashku me Greta Mingjozi, udhëheqëse e projektit të Bankës Botërore BETA, tw martën bënë hapjen e Qendrës për Shërbime të Biznesit.
Ministrja Kusari Lila foli për reformat që ka ndërmarrë ministria që ajo drejton si dhe për rëndësinë e kësaj qendre. Nga sot bizneset do ta kenë më të lehtë regjistrimin e biznesit të tyre. Hapja e kësaj qendre konsiston edhe me integrimin e sistemit të regjistrimit të biznesit, ku bizneset tani marrin vetëm një certifikatë për numrin fiskal dhe atë të biznesit, ka theksuar ajo.
Në anën tjetër, udhëheqësja e projektit BETA znj. Mingjozi, që ndihmoj në hapjen e kësaj qendre tha: Ne sot po e përfundojmë projektin 4 vjeçar me MTI-në dhe jemi të lumtur që pikërisht sot u bë hapja e kësaj qendre, pra është ky një rezultat i dukshëm.Kjo qendër mjaft moderne do të ofroj të gjitha shërbimet për regjistrimin e biznesit, dhënien e licencave për derivate të naftës si dhe shërbimet për pronësi industrial. Qendra do të ofroj edhe materiale informuese të reformave për të bërit biznes, ambientin e investimeve etj.
Derisa më parë bizneseve iu është kërkuar një numër i madh i dokumenteve, është dashur të aplikojnë në 3 agjencione, duke marrë kohë dhe kosto të lartë, procedura administrative si dhe një mos koordinim ndër-institucional, nga sot kjo do të ndryshoj. Sot, bizneset individuale mund të marrin certifikatën e numrit të biznesit bashkë me numrin fiskal për një ditë të vetme, ndërsa shoqëritë aksionare për tre ditë. Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, Doganat e Kosovës dhe Administrata Tatimore tashmë do të funksionojnë si një institucion i vetëm sa i përket regjistrimit të biznesit, ku bartëse e regjistrimit do të jetë pikërisht kjo qendër e hapur sot.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tashmë ka marrë një sërë reformash për lehtësuar procedurat e regjistrimit të biznesit dhe shembulli më i mirë për këtë është pikërisht sistemi i integruar i cili u mundëson bizneseve që të regjistrohen më lehtë, më shpejt dhe me më pak shpenzime.