Hapet panairi Prishtina 2015
Prishtinë, 29 prill - Në Qendrën e Panaireve, në Shkabaj të Prishtinës sot u hap Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar Prishtina 2015, i cili organizohet nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Në hapjen solemne, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, theksoi se organizimi i këtij panairi ka për qëllim të krijojë lidhje mes bizneseve, e para së gjithash të lidhë bizneset me konsumatorët.
Më tej ministrja Bajrami ka shtuar se ky panair me karakter ndërkombëtar paraqet mundësi të mirë për të treguar arritjet e kompanive në fusha të ndryshme të prodhimit dhe promovimin e ofertave të tyre për konsumatorët vendorë.\"
\"Njëherësh panairi krijon mundësi të mira për bashkëpunim në mes bizneseve vendore dhe kompanive pjesëmarrëse nga jashtë dhe unë bëjë thirrje që kjo mundësi e dhënë të shfrytëzohet nga të gjithë, u shpreh ministrja Bajrami.
Po ashtu, ajo shtoi se Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme se zhvillimi ekonomik dhe prosperiteti për popullin e Kosovës mund të arrihen vetëm përmes partneritetit dhe bashkëpunimit me përfaqësuesit dhe aktorët kryesorë të sektorit privat përfshirë këtu edhe investitorët e jashtëm, që me aktivitetin e tyre po ndikojnë në zvogëlimin e papunësisë dhe krijimin e vendeve të punës.
MTI së shpejti do të ketë strategjinë për eksport dhe ne do tju ofrojmë ndihmë institucionale kompanive që kanë potencial për të gjetur tregjet e tyre jashtë Kosove. Promovimi i produkteve tuaja në tregjet me potencial për ju do të jetë edhe prioritet i yni. Së shpejti do të funksionalizohet edhe skema e garantimit të kredive, si dhe do të ndryshohen disa ligje në të mirë të biznesit, theksoi ministrja Hykmete Bajrami.
Në fund, ministrja Bajrami theksoi Ne po punojmë që të sjellim kompani të fuqishme për të investuar në Kosovë, për të krijuar vende të reja pune, për të rritur fuqinë blerëse të tregut vendor, për të sjellë ekspertizën e këtyre kompanive në vendin tonë dhe për të përmirësuar kualitetin e jetës së qytetarëve tanë, përfundoi ministrja Bajrami.
Në panair, pos kompanive vendore, produktet e tyre po i ekspozojnë edhe shumë kompani të vendeve të ndryshme.
Panairi do të jetë i hapur deri më 2 maj 2015.