Hapet Panairi Dimëror në Prishtinë
Prishtinë, 16 dhjetor - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në hapjen e Edicionit 2016 të Panairit Dimëror në Prishtinë, i organizuar nga Asociacioni i Agjencive Rajonale për Zhvillim (ARDA), në kuadër të projektit Mbështetja për Zhvillimin Ekonomik Rajonal.
Në fjalën e saj, ministrja Bajrami tha se gjatë këtij viti janë organizuar shumë panaire, duke vlerësuar shumë pozitivisht faktin që ndërmarrjet vendore po prodhojnë produkte kualitative.
Këto produkte kanë nevojë për promovim dhe për hapësira tregtare gjë të cilën ne po mundohemi së bashku ta krijojmë përmes panaireve. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë promotor i zhvillimit ekonomik. Bizneset familjare dhe startup-et janë gjithashtu shumë të rëndësishme në kontekstin e zhvillimit ekonomik të vendit, tha Bajrami, duke shtuar se prodhuesit vendorë kanë kaluar nëpër periudha të vështira dhe se ambienti i biznesit po ndryshon për të mirë.
Ministrja Bajrami, po ashtu, theksoi se tashmë është krijuar një ambient i favorshëm dhe se janë krijuar politika fiskale të cilat janë në favor të prodhimeve vendore në krahasim me ato të kaluara.
Gjatë këtij mandati, ne kemi punuar shumë në përmirësimin e legjislacionit, eliminimin e burokracisë së tepërt, kemi bërë investime në infrastrukturë fizike, lehtësim në qasje në financa përmes Fondit për Garanci Kreditore ku deri tani më janë lëshuar 63 kredi, ka thënë Bajrami, duke shtuar se po ndihmohet në certifikimin e produkteve për standardet e cilësisë dhe veçanërisht në ndihmën për ndërmarrjet kosovare në promovimin e produkteve të tyre brenda dhe jashtë vendit.
Ministrja Hykmete Bajrami foli edhe për angazhimet e MTI-së, e cila, siç tha ajo, gjatë këtij viti ka financuar pjesëmarrjen e 190 ndërmarrjeve në 17 panaire të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare ku janë ekspozuar 780 produkte dhe kanë arritur të lidhen 32 kontrata për eksport të produkteve kosovare, ndërsa mbi 90 kontrata janë duke u negociuar në mes kompanive kosovare dhe atyre të huaja.