Hapet panairi Agrokos 2012
Prishtinë, 29 tetor - Sot u hap edicioni i dymbëdhjetë i panairit ndërkombëtar të agrobiznesit, ushqimit dhe pijeve Agrokos 2012.
Panairi i cili po mbahet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, po ndikon në rritjen e aftësisë konkurruese të produkteve kosovare, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, u tha në hapje të kësaj ngjarje të rëndësishme ekonomike.
Edhe në edicionin e sivjetmë po marrin pjesë kompani nga Kosova, rajoni e më gjerë.
Panairi AGROKOS, i cili ka krijuar tashmë një traditë të qëndrueshme organizative, po ndikon në rritjen e aftësisë konkurruese të produkteve kosovare, së pari në tregun vendor, pastaj edhe në atë të jashtëm.
Veç kësaj, ky aktivitet, pos ekspozimit të produkteve dhe shërbimeve nga subjektet pjesëmarrëse, po bën përpjekje të konsiderueshme që të shërbej edhe si një medium i adresimit dhe diskutimit të aspekteve kryesore, me qëllim të kërkimit të zgjidhjeve për probleme të shumta me të cilat ballafaqohet sektori.
Për këtë arsye, në kuadër të panairit është përfshirë edhe pjesa e seminareve dhe konferencave me karakter shkencor, e mbështetur nga ekspertë të fushave respektive, të cilët me diskutimet e tyre do të japin kontribut në ofrimin e ekspertizës shkencore dhe dhënies së rekomandimeve për farmeret dhe ndërmarrësit, sa i përket prodhimit, ngritjes së cilësisë së prodhimit, si faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në rritjen e performacës së prodhuesve, respektivisht rritjen e kapacitetit konkurrues të produkteve.
Në edicionin e sivjemë të panairit Agrokos marrin pjesë kompani nga Kosova, vendet e rajonit dhe më gjerë ku do të ekspozojnë një gamë të gjerë të produkteve dhe shërbimeve.
Panairi është përkrahur nga: AIDA (Albanian Investment Development Agency), OEDSH, Invest Macedonia, APPK dhe ASHA.