Hapet në Poloni Forumi Ekonomik i Evropës
Varshavë, 19 maj - BE-ja, ekonomia më e madhe e botës po përballet me mungesën e investimeve për modernizimin e infrastrukturës dhe në novacion.
Zyrtarë të unionit mendojnë se BE-ja, duhet të shtojë aftësinë e saj konkurruese për të krijuar vende të reja pune.
Ky diskutim shtrohet nga kryetari i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, pjesëmarrës në \"Forumin e III Ekonomik të Evropës\".
Fjalën e hapjes e mbajti kryeministri polak, Donald Tusk, vendi i të cilit do të jetë kryesues i radhës i BE-së. Në fjalimin e tij, zoti Tusk, shprehu dëshirën që Kroacia të anëtarësohet në BE.
Një tjetër zotim i Polonisë, si kryesuese e radhës BE-së, është përpjekja për formimin e një tregu të lirë e të integruar brenda Bashkimit Evropian.
Kryetari i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, ishte më i drejtpërdrejtë në paralajmërimet e tij për ekonominë evropiane.
Megjithëse BE-ja është ekonomia më e madhe në botë, tha Buzek, rritja e saj ekonomike është tejet e ngadalë.
Kryetari Buzek kritikoi gjithashtu vendet evropiane, se nuk po investojnë sa duhet për modernizimin dhe novacion.
Ai theksoi që BE-ja duhet medoemos të shtojë aftësinë konkurruese, të shpejtojë reformën strukturore, për të krijuar kështu më shumë vende pune.
\"Forumi i III Ekonomik i Evropës\", u hap më 16 maj, në qytetin Katowice të Polonisë. Diskutimet në forum do të fokusohen tek aftësia konkurruese, siguria energjike dhe stabiliteti i tregut të BE-së.