Hapet edicioni i Forumit të Sektorit të Ushqimit - Lidhja e Ofertës me Kërkesën
Prishtinë, 1 nëntor - Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike të USAID-it në Kosovë, Joshua Mike do të flasë në hapjen e edicionit të dytë të Forumit të Sektorit të Ushqimit - Lidhja e Ofertës me Kërkesën.
Edicioni i dytë i Forumit vjetor të Sektorit të Ushqimit synon të mundësojë lidhjet biznesore ndërmjet përpunuesve/prodhuesve të ushqimit në Kosovë dhe rrjeteve të françizave, distributorëve ndërkombëtarë dhe atyre me bazë në diasporë, kontraktorëve dhe blerësve të tjerë.
Pjesëmarrësit e edicionit të parë të ngjarjes të mbajtur vitin e kaluar, raportuan se kishin investuar rreth 1.1 milion euro për të përmbushur kërkesat e blerësve dhe rreth 220,000 euro shitje u raportuan në vitin e parë të kontratave të reja, dhe më shumë tjera priten të materializohen në mënyrë të vazhdueshme.
Këtë vit, pritet që rreth 25 blerës nga mbi 10 vende të marrin pjesë në ngjarje për t’u takuar me rreth 80 përpunues vendas.
Përveç takimeve B2B, gjatë ngjarjes do të prezantohen histori të suksesit mbi partneritetet e krijuara gjatë edicionit të parë të ngjarjes, do të mbahen diskutime në panel, prezantime tematike dhe një garë e degustimit të ajvarit ku prodhuesit vendor do të konkurrojnë me ajvarët e tyre shtëpiak. Gjithashtu, prodhuesit vendor do të ekspozojnë produktet e tyre gjatë aktivitetit.
Edicioni i dytë i Forumit të Sektorit të Ushqimit është duke u organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës (PePeKo) me mbështetjen e USAID Kosovo Compete Activity, shoqatës Organika dhe ProCredit Bank.