Hamza më së shumti pikë për guvernator
Prishtinë, 19 shkurt - Ish-ministri i Financave, Bedri Hamza, ka marrë më së shumti pikë nga paneli intervistues për zgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK).
Kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës Zëri, të afërta me procesin e përzgjedhjes së guvernatorit.
Sipas këtyre burimeve, pas Hamzës, i dyti në listë me më shumë pikë është guvernatorit aktual, Gani Gërguri, ndërsa i treti zëvendësguvernatori, Nexhat Kryeziu.
Pas intervistimit të shtatë kandidatëve në garë për guvernator, paneli ka dërguar në Polici emrat e tre kandidatëve të vlerësuar maksimalisht për guvernator për ta bërë verifikimin e historikut të tyre.
Pas përfundimit të intervistimit është bërë edhe verifikimi i historikut të tyre dhe tash emrat e dy apo tre kandidatëve me më shumë pikë do ti dërgohen Qeverisë dhe Kuvendit për aprovim, bën të ditur burimi i Zëri-t.
Në konkursin e shpallur për guvernator të BQK-së kanë konkurruar shtatë kandidartë: Bedri H amza , Valentin Toçi, Xhemajl Gashi, Gani Gërguri, Flamur Keqa dhe Nexhat Kryeziu.
Pak ditë para se të mbyllet konkursi për guvernator, Bedri Hamza kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Financave, me çrast kishte konkurruar për ta marrë timonin e BQK-së.
Ndonëse kjo e fundit është institucion i pavarur dhe i pandikuar politikisht, Hamza edhe pas konkurrimit për guvernator nuk kishte qëndruar larg aktiviteteve partiake.
Në Konventën e fundit zgjedhore të PDK-së të mbajtur muajin e kaluar, Hamza ishte ulur në rreshtin e parë, përkatësisht pranë kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli dhe ka qenë pjesë e votimit për kryetarin e ri të kësaj partie, Hashim Thaçit, ndërsa më pas Veseli është zgjedhur nënkryetar i parë i PDK-së.
Përndryshe, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), pasardhëse e Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës, është subjekt juridik publik bazuar në nenet 11 dhe 140 të Kushtetutës dhe të dispozitave të këtij ligji, që ka autonomi administrative, financiare dhe menaxhuese.