Hajdari koordinohet me inspektoratet komunale për zbatimit të urdhëresave
Prishtinë, 1 prill - Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari, të martën, takoi inspektoratet komunale dhe Inspektoratin e Tregut për t’u informuar rreth zbatimit të drejtë të urdhëresave dhe vendimeve të ministrisë dhe të institucioneve qeveritare për të mbikëqyrë dhe funksionalizuar tregun në rrethanat e krijuara nga pandemia e virusit COVID-19.
Ministrja Rozeta Hajdari kërkoi nga inspektorët komunalë dhe nga inspektorët qendrorë që të jenë në shërbim të informimit, koordinimi dhe të funksionalizimit të tregut, respektivisht të bizneseve të marketeve dhe dyqaneve sipas urdhëresave të ministrisë në rrethanat e krijuar aktualisht.
Inspektorët komunalë shprehën gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar dhe koordinuar me ministrinë për vendimet dhe urdhëresat që lëshohen nga kjo ministri dhe nga institucionet qendrore, në mënyrë që inspektorët të kryejnë inspektime dhe mbikëqyrje standarde të pikave tregtare në të gjitha komunat e Kosovës.
Gjithashtu pati edhe kërkesa për informata më të detajuara se si të veprohet në marketet që kanë mallra me produkte të përziera.
Ministrja Hajdari i informoi dhe iu sugjeroi inspektorëve që çdo herë të veprohet duke u mbështetur në vendimet dhe urdhëresat e ministrisë, duke u koordinuar edhe me mekanizmat mbështetës të policisë dhe me inspektorët tatimorë për të mos lejuar keqkuptime dhe keqinformime tek tregtarët.
Ministrja Rozeta Hajdari u zotua se çdo herë do të angazhohet për t’i shërbyer dhe për ta avancuar biznesin, duke u përkujdesur maksimalisht që të mos dëmtohen për shkak të masave të ndërmarra në këto rrethana të emergjencës shëndetësore.