Greqia lidhi marrëdhënie tregtare me Kosovën
Athinë, 9 mars - Ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos ka njoftuar për hapjen në vend të përfaqësisë tregtare të Republikës së Kosovës, pavarësia e së cilës nuk është njohur nga pala greke.
Ministri theksoi se ky vendim nuk do të ndikojë në qëndrimin e Greqisë ndaj çështjes së statusit të Kosovës, por bëri të qartë njëkohësisht se ekonomia është mjeti kryesor për mbarëvajtjen e proceseve politike.
Synimi strategjik i Greqisë është që të krijohet një hapësirë e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit në rajonin më të gjerë të Evropës Juglindore, tha ministri i Jashtëm grek.
Avramopoulos po ashtu tha se Greqia mbështetë dialogun Kosovë-Serbi, duke shtuar se sot më shumë se kurrë paqja dhe stabiliteti i duhen Ballkanit Perëndimor.
Ministri Avramopoulos shprehu përkrahjen e Athinës edhe për agjendën evropiane të Kosovës, duke përfshirë procesin e liberalizimit te vizave dhe marrëveshjen e stabilizim asocimit.
Greqia është pjesë e qëndrimeve unike të BE-se lidhur me integrimin dhe perspektivën evropiane të Kosovës, tha ministri Avramopoulos, duke vlerësuar rolin e përgjegjshëm, konstruktiv dhe paqësor të Kosovës në proceset politike rajonale.