Grekët shikojnë tërheqjen nga tregu shqiptar
Tiranë, 12 mars - Kompanitë greke në Shqipëri dikur kanë qenë lider në sektorin e naftës, si në pjesën e furnizimit me shumicë, me vendosjen e depozitave të mëdha në Portin e Durrësit, ashtu dhe në shitjen me pakicë.
Me kalimin e viteve, sidomos me ardhjen e demokratëve në pushtet, situata ndryshoi.
Rishikimi i ligjit dhe VKM-së për heqjen e depozitave nga porti në një zonë tjetër, në atë të Porto Romanos, dhe kufizimi i shkarkimit të anijeve me karburant ishte shkëndija e parë e krisjes së marrëdhënieve me shtetin, ndërsa grekët ankoheshin gjithnjë e më shumë tek autoritetet e tyre, me seli në Tiranë, ku nuk munguan as takimet e nivelit të lartë, por pa zgjidhje.
Tashmë nga tri kompani lider, në treg kanë mbetur dy, de jure, pasi njëra ka hedhur shtetin në gjyq ku kërkon dëmshpërblim 1 miliard dollarë për depozitat dhe ka vendosur të tërhiqet, kurse e treta, ka shfuqizuar licencën e tregtimit me shumicë dhe për momentin shet vetëm me pakicë.
Në treg operojnë edhe furnitorë të vegjël, që sjellin mallin në rrugë tokësore nga jugu, por nuk kanë peshën që dikur ofronin tri kompanitë lider dhe me emër në rajon.
Fenomeni i largimit nga Shqipëria po ndiqet edhe nga një kompani tjetër e njohur në treg, për cilësinë dhe shërbimin, e cila ka shitur aksionet dhe po shikon të tregtojë në një vend tjetër të rajonit.
Shkak i gjithë këtyre ndryshimeve janë ligjet, pesha e taksave dhe mungesa e një rregullatori për të ndëshkuar abuzuesit.