Graçanicë, projekt për ndërtimin e një Qendre Tregtare
Prishtinë, 23 prill - Sot, në Komunën e Graçanicës u firmos Marrëveshja e Bashkëpunimit për implementimin e një projekti madhor, në mes të Zyrës për Çështje të Komuniteteve në Zyrë të Kryeministrit, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, dhe Komunës së Graçanicës. Marrëveshja trepalëshe u nënshkrua nga këshilltari i lartë i Kryeministrit, njëherit edhe drejtori i Zyrës për Çështje të Komuniteteve, Srdjan Sentic, ministri për Komunitete dhe Kthim Sasa Rasic dhe kryetari i Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanovic.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, për ta mbështetur këtë iniciativë, ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Raif Elezi. Marrëveshja parashikon bashkëpunimin specifik ndërmjet institucioneve të Qeverisë së Kosovës për financimin e projektit në kuadër të planit të ashtuquajtur Iniciativa për Zhvillimin e Komunitetit. Kjo iniciativë është vazhdimësi e angazhimeve të institucioneve të Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e veprimtarive të komunave të reja.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Komuna e Graçanicës, si pjesë e iniciativës, do të ndërtojë një Qendër Tregtare dykatëshe, në hapësirë prej 1000 m2, e cila pritet të përfundohet deri në fund të këtij viti. Kosto totale e këtij projekti është rreth 450 mijë euro. Ndërsa, sa i përket kontributeve të palëve në financimin e projektit, Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit konform marrëveshjes së projektit do të financojë 150 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër financohet nga Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe nga Komuna e Graçanicës.
Kjo iniciativë është vazhdimësi e bashkëpunimit të gjithanshëm ndërinstitucional, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fushave prioritare të zhvillimit ekonomik dhe social. Ky projekt do të ndihmojë edhe në përmirësimin e nivelit të papunësisë për qytetarët që jetojnë në këtë komunë. Fuqizimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qeveritare në nivel qendror dhe lokal, konsiderohet si një faktor i rëndësishëm në stabilizimin e komunave të reja, si institucione të krijuara në tërësinë e procesit të decentralizimit.
Sentic theksoi se Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrë të Kryeministrit është e përkushtuar të përkrah edhe më tutje projektet prioritare në çështjen e zgjidhjes së problemeve sociale dhe krijimin e kushteve për një jetë normale të banorëve të kësaj komune, dhe komunave tjera të reja të krijuara nga procesi i decentralizimit.
Ai gjithashtu theksoi se me një bashkëpunim ndërinstitucional të shkëlqyeshëm duke realizuar projekte të këtilla dhe ato të ndërtimit të shkollave, shtëpive, rrugëve dhe kanalizimeve, ne çojmë në stabilizimin e gjendjes sociale të të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Graçanicës, Stojanovic duke falënderuar qeverinë për mbështetjen e vazhdueshme, tha se ky ritëm bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.