06 Janar 2025

Gjermania rifillon shkëmbimet tregtare me Iranin

Berlin, 5 janar - Eksportet e industrisë gjermane do të rriten me një përqindje dyshifrore drejt Iranit gjatë këtij viti, përderisa sanksionet lidhur me programin e diskutueshëm bërthamor të Teheranit pritet të hiqen gjatë javëve të ardhshme.

\"Të gjithë janë gati\", deklaroi Volker Treier, kryeekonomist në Dhomën Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë (DIHK), i cili shton se sanksionet do të hiqen në shkurt të këtij viti apo më shpejt.

\"Ne kemi shpresë që rifillimi i marrëdhënieve tregtare të jetë i vrullshëm, çka do të thotë që përqindja e rritjes së eksporteve drejt Iranit të jetë dyshifrore në 2016-n\", theksoi Treier për agjencinë gjermane të lajmeve, \"DPA\".

\"Nëse sanksionet hiqen në janar, tregtia mes Gjermanisë dhe Iranit mund të dyfidhohet në pesë miliardë euro gjatë tri viteve të ardhshme dhe të arrijë në 10 miliardë euro gjatë 5-7 viteve\", shtoi ai.

Tregtia mes dy vendeve arriti në 2,69 miliardë euro gjatë vitit 2014.

DIHK-ja ka vlerësuar se sanksionet ekonomike kundër Iranit e kanë dëmtuar rritjen ekonomike të Gjermanisë, sidomos kompanitë e mesme, që vareshin shumë nga tregtia me Iranin.

Irani ra dakord në korrik për të ulur në mënyrë drastike kapacitetet e pasurimit të uraniumit, për të zvogëluar stoqet e këtij lloj uraniumi, si dhe për të pranuar inspektimet ndërkombëtare për të garantuar se programi i tij bërthamor kishte qëllime civile dhe jo ushtarake.

Si pjesë e marrëveshjes me Kinën, Francën, Rusinë, Britaninë e Madhe dhe SHBA-të, plus Gjermaninë (P5+1), Teherani ka filluar çmontimin e mijëra centrifugave, që pasuronin uranium.

Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) duhet të konfirmojë në fillim të këtij muaji se Irani ka ndërmarrë hapat e duhura për frenimin e aktiviteteve të tij bërthamore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)