Gjermani, vlera e euros bie në 1,22 dollarë
Berlin, 19 maj - Ndalimi i aktiviteteve me letrat spekulative në Gjermani e ka shtuar edhe më shumë trysninë ndaj euros. Në bursat e Lindjes së Largët vlera e euros ka rënë në 1,22 dollarë.
Tregtarët janë të mendimit se masat e Gjermanisë nuk do të ndihmojnë në tejkalimin e krizës së borxheve.
Të martën në mbrëmje euro ishte nën presion edhe në bursën amerikane. Për parandalimin e spekulimeve në tregjet financiare, autoritetet gjermane kanë ndaluar shitjen e letrave me rreziqe të larta.
Këto masa vlejnë deri në mars të vitit të ardhshëm dhe duhet të rishikohen kohë pas kohe.
Kancelarja gjermane Angela Merkel këtë të mërkurë do të paraqesë në Parlament një deklaratë qeveritare për paketën e shpëtimit të euros.
Në Bundestag ajo do të paraqesë ndoshta edhe planet për futjen e tatimeve ndërkombëtare në tregun e financave. Ditët e kaluara janë debatuar disa modele të ndryshme të këtyre tatimeve.
Të martën partitë e koalicionit qeveritar ranë dakord për futjen e tatimeve në sektorin e financave, por nuk është saktësuar se cilat masa janë këto.
Bundestagu do të vendosë të premten edhe për të ashtuquajturën çadrën për shpëtimin e euros. Kjo paketë parashikon kredi në vlerë prej 750 miliardë eurosh për stabilizimin e monedhës së përbashkët.
Gjermania do të duhej të siguronte për tre vitet e ardhshme garanci në vlerë prej 148 miliardë eurosh.
Përveç liberalëve dhe partive të Unionit, këtë paketë do të mbështesin edhe ekologjistët, ndërsa socialdemokratët ende po hezitojnë. Para dy javësh në parlament është vendosur edhe për ndihmën dhe kreditë për Greqinë.