Gjermani, tregu i punës kërkon të rinj të kualifikuar
Berlin, 1 qershor - Prej një viti të rinjtë nga vendet e Bashkimit Europian kanë mundësi të kryejnë kurse profesionale në Gjermani. Dhoma e Tregëtisë në Kotbus ftoi 22 të rinj nga Polonia për të studiuar në Gjermani.
"Puna në Gjermani është një mundësi e mirë për mua. Në Poloni nuk ka shumë punë dhe rrogat janë shumë të ulëta. Këtu në Gjermani është më ndryshe. Këtu kam më shumë para dhe mund të jetoj më mirë. Unë këtë e shikoj si shansin e jetës sime, thotë 25 vjeçari Paweł ndërkohë që punon.
Papunësia e të rinjve Poloni është e lartë. Pothuajse çereku i të rinjve janë pa punë. Në Kotbus ka ende vende të lira për t'u kualifikuar në një profesion të caktuar thotë Rüdiger Galle, i cli është shefi i Paweł. "Tashmë nuk është sekret se situata e praktikave mësimore ka ndryshuar vitet e fundit. Ne nuk kishim shumë kurse, ndërsa sot kemi shumë trajnime dhe pak aplikantë.
"Gjuha është ende problem"
Paweł kërkonte të punonte, prandaj ai la qytetin e tij Zielona Góra në Poloni së bashku me 21 bashkëmoshatarë të tij. Në Kotbus ai mësoi gjermanisht dhe bëri një kërkesë në zyrën gjermane të biznesit lokal. Pas një viti, vetëm gjashtë nga të rinjtë qëndruan në Kotbus. Disa u larguan me vullnetin e tyre, ndërsa të tjerëve i'u kërkua që të largohen sepse nuk treguan aftësitë e duhura për të punuar në tregun gjerman të punës.
Paweł na tregoi se kishte studiuar shumë gjuhën dhe më në fund kishte fituar testin e gjermanishtes. Pavarësisht kësaj ai ka shumë për të mësuar.
"Gjuha është ende një problem. Unë studioj çdo ditë dhe përmirësohem pothuajse çdo ditë, por në shkollë kam probleme të mëdha. Fjalori terminologjik është shumë i vështirë për t'u mësuar sepse fjalët nuk janë në një fjalor normal. Atëhere më duhet të pyes shokët dhe në shkollë kam një shok të mirë që më ndihmon gjithmonë," thotë Pawel për Deutsche Welle.
Ai njeh shumë mirë edhe ndërtesën. Kolegët e tij gjermanë e kanë pranuar nxënësin e ri nga Polonia. Më në fund një nxënës i mirë thonë ata. Është një shans për ta për të mësuar rreth një kulture tjetër.
"Disa herë kolegët kanë ardhur me mua në Poloni. Ata kanë provuar gatimet tradicionale tek shtëpia e nënës sime dhe kanë vizituar qytetin tim. Është një gjë e mirë. Ata pëlqejnë të udhëtojnë me mua në Poloni dhe mua më pëlqen të jetoj në Gjermani, tregon i kënaqur Pawel.
Integrimi - çelësi i suksesit
Shefi i tij Rüdiger Galle, pranon se Paweł është ambientuar më së miri me vendin e punës. Integrimi është çelësi i suksesit për nxënësit e rinj, thotë supervizori Sebastian Szajek.
"Integrimi është shumë i rëndësishëm. Të rinjtë që dështuan këtu dhe u kthyen në Poloni nuk mundën të bënin shokë. Arsyeja se pse u larguan ishte se atyre u mungonin kontaktet sociale. Natyrisht që këtu faktori kryesor më pas është barriera gjuhësore. Është shumë e lehtë të ndihesh i lënë më një anë kur nuk je në gjendje të flasësh me miqtë e tu, kur je duke pirë një birrë apo kur je në një disko.
Të gjesh shokë për të pirë një gotë është njëra anë, tjetra është dallimi kulturor. Në fillim të kursit të trajnimit, Paweł dhe shefi i tij Galle duhet të ambientoheshin me njëri tjetrin. Për shembull Paweł bëri disa ditë pushim pa e lajmëruar atë. Paweł e pati të vështirë të ambientohej me rregullat gjermane thotë Galle.
"Në fillim ai ishte gjithmonë me vonesë, nuk kishte me vete mjetet e duhura dhe gjëra të vogla si këto, por ne gjetëm mëyrën e komunikimit me të. Pasi ai mësoi se si funksionin gjërat, ka bërë vetëm përmirësime."
Për Galle nuk është e rëndësishme se nga vijnë nxënësit e tij, për sa kohë që ata janë të motivuar të mësojnë. Biznesi i Kotbusit do të dëshironte të kishte sa më shumë të rinj si Pawel.
Aktualisht në Kotbus janë 700 vende vakante për specializimin e të rinjve. Këtë vjeshtë do të nisin trajnimin 18 të rinj të tjerë nga Polonia dhe shumë të tjerë do të vijnë më pas.
/dw/