09 Janar 2025

Gjatë 2014-s pritet rritje e investimeve të huaja

Albulena S. MAVRAJ

Prishtinë, 10 janar =  Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë (APIK), Valdrin Lluka, ka deklaruar se gjatë vitit 2013 në Kosovë janë regjistruar 694 kompani të huaja. Sipas tij, krahasuar me vitin 2012, në vitin 2013 ka pasur ngritje për 160 kompani të regjistruara apo 30 për qind më shumë.


Kurse bazuar në të dhënat e APIKU-ut, gjatë vitit 2013 kanë qenë 341 kompani që kanë treguar interesim për të investuar dhe janë kontaktuar nga APIK-u. Ai ka treguar se në mesin e shteteve nga të cilat vijnë bizneset e regjistruara në Kosovë, prijnë Shqipëria, Turqia, Maqedonia dhe Gjermania.


Lluka ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se gjatë vitit 2014 APIK-u do t’i vazhdojë aktivitetet e shumta për promovimin e Kosovës. “APIK edhe gjatë vitit 2014 do ta vazhdojë promovimin e Kosovës në konferenca, panaire, B2B si dhe ngjarje të tjera të rëndësishme, të cilat kanë ndikim në tërheqjen e investimeve.

Vlen të theksohet se APIK-u gjatë vitit të kaluar ka identifikuar shtatë sektorë kyçë për Kosovën, që ne mendojmë se Kosova ofron kushte të mira, fuqi të mjaftueshme të punës, si dhe potencial të madh për eksport. Kështu që, gjatë këtij viti, në bazë të këtyre sektorëve, do të targetohen kompanitë e huaja në këtë sektor dhe do të kërkohen vizita individuale, ku edhe do t’ju prezantohet Kosova në mënyrë të përshtatshme për atë kompani”, është shprehur Lluka.

“Epoka e re”: Z. Lluka, sa kompani të huaja janë regjistruar për të investuar në Kosovë gjatë periudhës së parë dhe të dytë të vitit 2013?
Lluka: Sipas të dhënave nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), në gjashtëmujorin parë të vitit 2013 janë regjistruar 329 kompani të huaja, ndërsa në gjashtëmujorin e dytë 365 kompani.

“Epoka e re”: Po krahasuar me vitin 2012, ka pasur rritje apo zvogëlim të kompanive të huaja për të investuar në Kosovë gjatë vitit 2013?
Lluka: Në vitin 2012 në ARBK janë regjistruar 534 kompani të huaja, ndërsa në vitin 2013 janë regjistruar 694 kompani të huaja. Kështu që, në raport me vitin 2012, gjatë vitit 2013 kemi pasur ngritje për 160 kompani të regjistruara më shumë, shprehur në përqindje: 30 % më shumë.

“Epoka e re”: Nga cilat shtete ka pasur më së shumti kompani të huaja të regjistruara në Kosovë?
Lluka: Bazuar në të dhënat e ARBK-së, numri më i madh i kompanive të regjistruara sipas shteteve në vitin 2013 kanë qenë nga Shqipëria, ku janë regjistruar 106 kompani, pastaj nga Turqia janë regjistruar 82 kompani, nga Maqedoni 71, Gjermania 53, Kroacia 35 si dhe nga Zvicra 35 kompani.

“Epoka e re”: Në cilët sektorë ka pasur më së shumti investime?
Lluka: Sipas Raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sektorët ku më së shumti ka pasur investime janë: Shërbimet Financiare, Patundshmëria, Energjetika, Ndërtimtaria, Transport dhe Telekomunikacion.

“Epoka e re”: Sa ka pasur interesim të kompanive të huaja për të investuar në Kosovë gjatë vitit 2013 dhe sa mendoni se mund të ketë interesim më të lartë gjatë këtij viti?


Lluka: Në vitin 2013 në bazën e të dhënave të APIKU-ut janë 341 kompani që kanë treguar interesim për të investuar dhe janë kontaktuar nga APIK-u. Besojmë se me aktivitetet e zhvilluara gjatë vitit 2013 dhe me aktivitetet që do të zhvillohen gjatë këtij viti do të ndikojnë në rritjen e interesimit të investitorëve për të investuar në Kosovë.

“Epoka e re”: Cilat aktivitete do ta karakterizojnë APIK-un gjatë vitit 2014?
Lluka: APIK edhe gjatë vitit 2014 do ta vazhdojë promovimin e Kosovës në konferenca, panaire, B2B si dhe ngjarje të tjera të rëndësishme, të cilat kanë ndikim në tërheqjen e investimeve. Po ashtu, vlen të theksohet se APIK-u gjatë vitit të kaluar ka identifikuar 7 sektorë kyçë për Kosovën, që ne mendojmë se Kosova ofron kushte të mira, fuqi të mjaftueshme të punës, si dhe potencial të madh për eksport. Kështu që, gjatë këtij viti, në bazë të këtyre sektorëve, do të targetohen kompanitë e huaja në këtë sektor dhe do të kërkohen vizita individuale, ku edhe do t’u prezantohet Kosova në mënyrë të përshtatshme për atë kompani. Pra, presim që interesimi për ta vizituar Kosovën dhe shikuar mundësitë për së afërmi do të jetë më i madh.

“Epoka e re”: Mendoni se Kosova ka klimë të favorshme për tërheqjen e IHD-ve?
Lluka: Kosova ofron kushte të favorshme për investitorët e huaj si: fuqia punëtore e re dhe e motivuar, tregu i lirë, taksat e favorshme si dhe procedurat e lehta të të bërit biznes. Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa për përmirësimin e ambientit të bërit biznes, duke shkurtuar kohën, procedurat si dhe shpenzimet për fillimin e biznesit. Kosova edhe këtë vit në raportin e Bankës Botërore \"Të Bërit Biznes 2014” shënon progresin më të madh në rangimin e kësaj liste duke u ngritur në pozitën e 86 nga 189 vende të botës dhe është shpallur si një ndër TOP 5 nga 10 vendet reformatore në botë, duke bërë më së shumti përparim në 3 apo më shumë indikatorë të cilët maten nga Raporti “Të Bërit Biznes” të Bankës Botërore.

“Epoka e re”: Sa e ka dëmtuar imazhin e Kosovës raporti i fundit i Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit? Është vërejtur ndonjë demotivim apo reagim nga kompanitë e huaja për të investuar në Kosovë.
Lluka: Gjithmonë korrupsioni është shqetësim tek çdo investitor i mundshëm. Realisht, perceptimi është më i madh sesa realiteti dhe si rezultat, shumë investitorë mendojnë se do të hasin në korrupsion. Ne si agjenci i garantojmë investitorët e huaj se do t’i përkrahim nga momentin që vijnë në Kosovë e deri tek realizimi i investimit të tyre dhe nëse hasin në probleme të korrupsionit ata duhet të raportojnë tek ne menjëherë. Të gjithë investitorët e huaj pajtohen se korrupsioni është më shumë percepcion sesa realitet në Kosovë.

“Epoka e re”: Mendoni se zvarritja e procesit të privatizimit të PTK-së do t’i destimulojë investitorët e huaja për të investuar në Kosovë?
Lluka: Investitorët me të cilët bashkëpunojmë dhe i targetojmë nuk kanë të bëjnë me telekomunikacion, prandaj edhe nuk kanë informata mbi procesin e privatizimit të PTK-së. Për shkak të fokuseve të ndryshme, procesi i PTK-së nuk na pengon në promovim të vendit. Problemi më i madh qëndron në percepcion të korrupsionit sesa në proces të privatizimit të PTK-së. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)