Gjakova bëhet me Qendër Inovative
Gjakovë, 4 prill - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë edhe një hap tjetër përpara në drejtim të mbështetjes së zhvillimit ekonomik të Kosovës. Të premten ka përuruar Qendrën Inovative në Gjakovë e cila do të jetë në mbështetje të ndërmarrësisë dhe zhvillimit komercial të biznesit.
U përpoqën shumë individ që ta pengojnë zhvillimin e idesë tonë për ta themeluar këtë qendër në Gjakovë. Por, ne nuk u ndalëm dhe këtë sot po e shohim se mundi i ynë u shpagua dhe ideja jonë u bë realitet. Sot ne kemi një qendër moderne inovative që do të jetë e fokusuar në ofrimin e shërbimeve të inkubatorit të biznesit, trajnimeve mentorimit dhe këshillëdhënies. Nga këtu do të fillojnë së realizuari idetë e reja për biznes, tha Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj.
Në përurim të objektit të Qendrës inovative ai falënderoi Kryetaren e Komunës, Mimoza Kusari-Lila, për idenë e ndërtimit të kësaj Qendre dhe përkrahjen e dhënë.
Nikaj, ka falënderuar edhe përfaqësuesit e Ambasadës Norvegjeze, Kryeshefin Valdrin Llukën dhe Kryetaren e Bordit të Qendrës Inovative, Eljana Naken, për mbështetjen që kanë dhënë në themelimin e kësaj qendre.
Para disa javësh ne e shpallëm Gjakovën zonë të lirë ekonomike, Aeroporti i Gjakovës është kthyer në një ndërmarrje publike dhe presim që shumë shpejt të tërheq investitorë privat dhe tani kemi një Qendër Inovative ku përmes saj do ta përkrahim zonën ekonomike, tha Ministri Nikaj.
Kryetarja e Komunës Mimoza Kusari-Lila, duke fol për rëndësinë e themelimit të kësaj qendre dhe për hapat intensiv që po i ndërmerr qeveria lokale në zhvillimin e Gjakovë, ka thënë se kjo qendër është pajisur me bazën e nevojshme për zhvillimin e kapitalit intelektual dhe njerëzor.
Në këtë ditë të promovimit të kësaj Qendre Inovative në Gjakovë, nuk është e nevojshme të matet kostoja e ndërtimit të saj, por matja e ideve që do të zhvillohen për të hyrë në funksion të zhvillimit ekonomik. Vështirësitë ishin të mëdha nga shumë anë që për qëllim kishin pengimin dhe mosrealizimin e projektit për këtë Qendër. Por, ne nuk hoqëm dorë dhe ja se sot bashkërisht po e gëzojmë këtë vepër, që nuk do të jetë e vetmja por gjithnjë në proces të arritjeve dhe realizmit të projekteve tjera. Këtu do të lindin ide të reja të cilat do të zhvillohen. Sektori publik nuk është vendi i veçantë i punësimit por, punësimin e siguron kreativiteti në zhvillimin e biznesit, tha Kusari-Lila.