Gërxhaliu: Me bllokimin e mallrave serbe fiton Kosova
Prishtinë, 21 korrik - Vendimi i Qeverisë për ti ndalur mallrat me prejardhje nga Serbia e ka gëzuar komunitetin e biznesit të Kosovës. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, vendimin e Qeverisë e ka konsideruar të vonuar.
Sipas tij, ky hap, që është shumë i mirëseardhur, është dashur të merrej më herët, pasi deri më tani ajo që ka humbur më së shumti ka qenë Kosova. Këto masa janë të imponuara për palën kosovare. Këtë nuk e ka dashur Kosova.
Çdokush që i thotë vetës kosovar dhe shqiptar duhet ti lërë anash interesat individuale dhe grupore. Është koha më tepër të punojmë për interesa madhore, ka thënë ai.
Gërxhaliu ka bërë me dije se do të ketë tendenca nga qarqe të ndryshme që të futet panik në Kosovë se mund të ketë mungesë të produkteve por, sipas tij, është koha që tani të humbë Serbia, jo më Kosova. Komuniteti i biznesit kosovar është avancuar shumë. Ai nuk e njeh vetëm Serbinë si destinacion kryesor për importim të mallrave. Ka shumë shtete të tjera nga të cilat mund të importohet mall, ka thënë ai.
Më së shumti, sipas tij, nga bllokimi i mallrave serbe do të fitojnë Kosova dhe biznesi, pasi do të rritet konsumimi i prodhimit vendor. Ndalimi i produkteve nga Serbia nuk do të ketë kurrfarë mungese në tregun kosovar.
Për këtë jemi shumë të sigurt. Nuk është krejt bota Serbi. Pra, vendimi i Qeverisë do të ketë pasoja pozitive për zhvillimin e ekonomisë vendore, ka vlerësuar ai.