G7: Forcat e tregut të vendosin vlerën e monedhës
New York, 13 shkurt - Grupi i 7 vendeve më të industrializuara është duke u përpjekur për të lehtësuar tensionet rreth mënyrës së përcaktimit të vlerës së monedhave të tyre.
Në një deklaratë të zyrtarëve të lartë ekonomikë të vendeve të G7-ës thuhet se ato mbeten të angazhuara për të lejuar që të jenë forcat e tregut ato që vendosin vlerën e monedhës.
Komenti vjen pas pohimeve se disa vende mund të zhvlerësojnë monedhat e tyre për të mbështetur ekonomitë përkatëse, duke i bërë eksportet e tyre më të lira për tregjet e huaja.
Por monedha e zhvlerësuar gjithashtu mund të dëmtojë ekonominë duke shkaktuar inflacion.
Ekonomistët janë të shqetësuar se këto vende mund të fillojnë të konkurrojnë me njëra tjetrën për të pasur monedhën më të dobët, duke shkaktuar një cikël të përsëritur zhvlerësimesh që mund të dalë jashtë kontrollit.
Në Grupin e 7-shes bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania, Franca, Italia, Kanada, dhe Japonia.