Funksionalizohen të gjitha tregjet e Gjilanit
Gjilan, 2 maj - Drejtoria për Zhvillim Ekonomik ka mbajtur sot konferencë për media, në të cilën drejtori i saj, Agim Zuzaku, ka paraqitur punën e bërë gjatë tremujorit të parë për vitin 2017, të arriturat, sfidat, angazhimet në projekte dhe programe konkrete si dhe funksionalizimin në tërësi të Ndërmarrjen Publike Lokale Tregu, duke e regjistruar tani më edhe në Agjencionin për Rexhistrimin e Bizneseve.
Drejtori Zuzaku ka thënë se gjithçka është bërë konform përgjegjësive që ka Komuna e Gjilanit në bazë të ligjit për themelimin e ndërmarrjeve publike.
Qëllimi i themelimit të NPL Tregu është funksionalizimi i të gjitha tregjeve që operojnë në Komunën e Gjilanit, duke i vënë nën një ombrellë të vetme për një menaxhim më efikas. Jemi në pritje të hartimit të planit ideor më të mirë për tregun e gjelbër në mënyrë që Komuna të investoj dhe të krijoj kushte më të mira si për tregtarë, po ashtu edhe për konsumatorë. Kjo ndërmarrje gjatë të ardhmes, gjithashtu, do të marrë nën menaxhim edhe tregun e kafshëve dhe të automjeteve dhe krijimin e mini-tregjeve të vogla nëpër zonat më të populluara, ka thënë drejtori Zuzaku.
Gjatë këtyre tre muajve siç ka thënë Zuzaku, gjithashtu është drejtuar fokusi te projektet kapitale të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Komunës së Gjilanit përmes Partneritetit Publiko Privat, duke realizuar disa studime për PPP.
Ai, poashtu, ka thënë se në fillim të vitit Kuvendi ka shqyrtuar dhe miratuar edhe strategjinë për zhvillim socio-ekonomik lokal 2017-2021, që parasheh realizimin e 90 projekteve të ndryshme gjatë periudhës së ardhshme pesëvjeçare.
Kjo strategji vetëm se ka filluar të implementohet duke filluar me projektin fuqizimi ekonomik i grave. Pastaj projekti Gjilani Riciklon është projekt tjetër i financuar nga GIZ që implementohet nga GAC dhe ka filluar të implementohet në fazën e dytë që po ecë mjaftë mirë, përmes aktiviteteve të planifikuara, ka bërë të ditur drejtori i Zhvillimit Ekonomik.
Nga projektet e vitit të kaluar, ka mbetur programi për efiçiencën e energjisë me bankën gjermane KfË, i cili, është në fazën e vlerësimit të ofertave për konsulent të cilët do të jenë përgjegjës për dizajnimin e shkollave të cilat do të renovohen me këtë program.
Në fund, drejtori për Zhvillim Ekonomik tha se për tremujorin e parë të vitit 2017 janë regjistruar 149 biznese, prej tyre 16% janë me pronare femra, ndërsa 84% me pronarë meshkuj, ndërkaq në kuadër të 149 bizneseve të regjistruara janë punësuar 254 punëtorë.