28 Dhjetor 2024

Frutex, Meka dhe "Elinda Osmani" bizneset me konkurente në Prizren

Prizren, 23 dhjetor - Në kuadër të “Ditëve të Biznesit të Vogël 2016”, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit, mbajtën konferencën informuese me bizneset e rajonit të Prizrenit.

Në konferencë të pranishëm ishin: zv.ministri i Financave, Agim Krasniqi, përfaqësues të ATK-së, Doganave të Kosovës, të KEDS/KESCO, si dhe përfaqësues  të institucioneve komunale dhe përfaqësues të shumtë të shoqatave dhe bizneseve të kësaj ane. Bizneset u informuan rreth shërbimeve që ofrojnë institucionet qeveritare në përkrahjen e vazhdueshme që po e bëjnë në zhvillimin e ndërmarrësisë dhe në krijimin e kushteve më të mira për biznesin.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në fjalën hyrëse, potencoi se këto konferenca po i organizojmë për të diskutuar për sfidat dhe problemet e bizneseve, ku pastaj do të mund të ndërmarrim hapat e nevojshëm institucionalë për të zgjidhur pengesat me të cilat ballafaqohen.

Ministrja Bajrami, njoftoi bizneset se janë ndërmarrë një sërë veprimesh në aspektin e përmirësimit të ambientit të të bërit biznes në vend.

“Janë reduktuar barrierat administrative, duke bërë racionalizimin e shpenzimeve nga Qeveria, duke rritur shërbimet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kundrejt bizneseve, si dhe duke eliminuar burokracinë në institucionet e Kosovës. Po ashtu Fondi për Garanci Kreditore është njëri nga veprimet e ndërmarra në këtë aspekt dhe në kuadër të tij kanë filluar të lëshohen kredi për bizneset” bëri të ditur ministrja Bajrami.

Ndër të tjera, ministrja Bajrami foli edhe për përkrahjen e bizneseve nga ana e MTI përmes KIESA-s për pjesëmarrjen dhe promovimin e produkteve të tyre nëpër panaire brenda dhe jashtë vendit.

“Është duke u punuar me BERZH për projektin i Certifikimit të Produkteve,  përmes së cilit produkteve kosovare do t’u lehtësohet qasja në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare” theksoi ajo.

Ndërsa, zëvendës ministri i Financave, Agim Krasniqi, i informoi bizneset për masat e pakos së re fiskale.

Ministrja Bajrami gjatë bashkëbisedimit me bizneset edhe njëherë u premtoi atyre se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë në përkrahje të vazhdueshme në përmirësimin e mëtutjeshëm të ambientit të biznesit në Kosovë.

Në fund të konferencës u shpallën ndërmarrjet më konkurruese në rajonin e Prizrenit:  Top Ndërmarrja e Mesme më konkurrente e vitit u shpall kompania “Frutex” sh.p.k.; Top Ndërmarrja e Vogël “Meka” sh.p.k; ndërsa Top Mikrondërmarrja më Konkurrente e vitit u shpall ndërmarrja  “Elinda Osmani”B.I.

Ne kuadër te pjesëmarrjes ne konferencën informuese në Prizren, ministrja Bajrami vizitoi kompanitë “ADA Product” dhe kooperativën bujqësore “Krusha” me ç’rast u informua për së afërmi me aktivitetet e këtyre kompanive prodhuese.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)