Frika nga borxhet e Eurozonës shkakton rënie në bursa
New York, 5 qershor - Kostoja e huamarrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ranë në nivele të papara që nga viti 1946, ndërsa ato të Gjermanisë e Britanisë së Madhe ranë në nivelin më të ulët të regjistruar në histori gjatë javës së kaluar, pasi investitorët e frikësuar u përpoqën të vendosin në streha të sigurta paratë e tyre duke pranuar investim pa fitim. Lajmi bëhet i ditur nga Financial Times.
Largimi i investitorëve nga vendet që shihen si të rrezikuara për te vendet e fuqishme, dallohet në faktin që Gjermania arriti të shesë bonde dyvjeçare me zero për qind, ose më ulët se sa interesi i bondeve japoneze. Fitimi real i investitorëve në këtë rast është negativ, për shkak se euro zhvlerësohet me 2 për qind në vit.
Në anën tjetër të Atlantikut, interesat për bondet dhjetëvjeçare të Shteteve të Bashkuara ranë në 1.62 për qind, një nivel ky i regjistruar për herë të fundit në vitin 1946.
Bondet dhjetëvjeçare gjermane shiten për 1.26 për qind, ndërsa ato të Danimarkës shiten për vetëm 1.09 për qind. Interesat në Britaninë e Madhe për bonde 10-vjeçare ranë në 1.64 për qind, niveli më i ulët që nga viti 1703, koha kur filluan të mbahen shënim interesat e borxhit publik.
Këto janë kuota ekstreme, sepse gjendemi në një situatë ekstreme. Njerëzit duan thjesht që të jenë të sigurt që do ti marrin sërish paratë e tyre.
Ndoshta shumë shpejt do të shohim që investitorët do të pranojnë të paguajnë interes vetëm që Gjermania të pranojë paratë e tyre për ruajtje, komentoi Gary Jenkins, një ekspert në Londër.
Lufta për siguri filloi pasi situata në Itali dhe Spanjë, përkatësisht ekonomia e tretë dhe e katërt më e madhe në Eurozonë, u përkeqësua. Në Itali, një ankand për shitjen e bondeve dhjetëvjeçare përfundoi me interesa mbi 6 për qind. Euro humbi edhe 0.8 për qind të tjera kundrejt dollarit dhe aktualisht shitet për 1.24 USD.