Franca do të forcojë marrëdhëniet tregtare me Kosovën
Prishtinë, 16 janar - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e priti në takim ambasadoren e Francës në Prishtinë, Maryse Daviet.
Ministrja Bajrami e falënderoi ambasadoren për përkrahjen e vazhdueshme që Franca i ka ofruar Kosovës.
Po ashtu, ministrja Bajrami e informoi ambasadoren me prioritetet dhe objektivat strategjike të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, përkrahjen në zhvillimin e sektorit privat, përfshirë përmirësimin e klimës së biznesit, avancimin e politikave tregtare, përmirësimin e lëvizjes së lirë të mallrave dhe rregullimin e tregut të brendshëm.
Po ashtu, ministrja Bajrami theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në mes të dy vendeve, me qëllim të rritjes së shkëmbimeve tregtare.
Ambasadorja franceze, Maryse Daviet, fillimisht i uroi ministres Bajrami detyrën e re. Ajo e konfirmoi kontinuitetin e përkrahjes së Francës për Kosovën dhe shprehu interesimin e shtetit tё saj që marrëdhëniet tregtare në mes tё dy vendeve tё intensifikohen edhe mё tej.