Fondi Evropian përpiqet të tërheqë investime kineze
Pekin, 29, tetor - Kina hodhi poshtë zërat se ajo mund të investojë menjëherë në fondin evropian për shpëtimin financiar.
Zëvendësministri kinez i financave Xhu Guang Yao u takua sot me shefin e fondit evropian Klaus Regling, i cili ndodhet në Pekin për të diskutuar mbi kushtet që Kina dhe investitorë të tjerë globalë të mund të ndihmojnë në financimin e një plani për të zgjidhur krizën e borxhit në kontinent.
Zëvendësministri kinez i financave Xhu Guang Yao u tha gazetarëve pas takimit me zotin Regling se Kina do të presë për të parë kushtet e paketës evropiane të shpëtimit financiar.
Nga ana e tij, zoti Regling tha se gjatë disa muajve të ardhshëm, fondi do të bisedojë me qeveri dhe investitorë të ndryshëm se si të ristrukturohet ky fond në mënyrë që letrat me vlerë që ai nxjerr në treg të jenë një investim tërheqës.
Ai arriti në Kinë një ditë pasi krerët evropianë miratuan planin dhe tha se ishte shumë herët për të negociuar me Pekinin si investitor i mundshëm në zgjerimin e fondit të Stabilitetit Financiar.
\"Kur ata blejnë bonot tona, ata blejnë të njëjtat bono si gjithë të tjerët. Atyre u duket ky një investim interesant\", thotë Klaus Regling.
Kontributi për shpëtimin financiar të Evropës mund ta ndihmojë Pekinin në arritjen e qëllimit të tij për një rol kryesor në menaxhimin e financave globale. Por një rol të mundshëm kinez në Evropë dhe zërat se Pekini mund të kërkojë lëshime politike, kanë shkaktuar nervozizëm tek disa evropianë.
Disa komentatorë evropianë dhe kinezë thonë se Pekini mund ti bëjë trysni Evropës që ajo të frenojë kritikat ndaj gjendjes së të drejtave të njeriut në Kinë apo që Pekinit ti jepet statusi i ekonomisë së tregut gjë që do ta bënte më të vështirë për Evropën që ajo të ndjekë ligjërisht ankesat tregtare kundër Kinës.
Por analistja financiare Zuo Xiaolei mendon se Evropa nuk ka pse të ketë frikë:
\"Ne nuk mendojmë se rezervat e mëdha valutore na bëjnë të kemi një ndikim të madh në botë. Nuk kemi ndërmend të përdorim rezervat tona valutore si armë, thotë zonja Xiaolei.
Udhëheqësit e 17 vendeve që përdorin euron ranë dakord këtë javë për ta zgjeruar fondin e shpëtimit financiar prej 440 miliard eurosh me shpresën për zgjidhjen e krizës 2-vjeçar që kërcënon ti zhytë përsëri në recesion ekonomitë e zhvilluara.
Sot, mijëra nëpunës civilë u mblodhën në qendër të Romës për të protestuar kundër masave të shpallura nga qeveria. Udhëheqësit e sindikatave italiane kanë deklaruar se do të organizojnë një grevë të përgjithshme nëse qeveria e Kryeministrit Silvio Berlusconi vë në jetë premtimin për ta bërë më të lehtë pushimin e punonjësve si mënyrë për të bindur Bashkimin Evropian se ajo e ka marrë seriozisht rigjallërimin e ekonomisë anemike të vendit.
Edhe ne Greqi, studentë të shumtë mbushën sheshet e Athinës për t\'i thënë \"Jo\" planeve qeveritare për masa të ashpra ekonomike.
Ndërkohë në Spanjë, numri i të papunëve arriti një rekord prej gati pesë milion vetash në tremujorin e tretë. Sipas shifrave qeveritare të publikuara sot, ekonomia spanjolle nuk arriti të krijojë vende pune në kushtet e pasigurisë financiare botërore në rritje.