Ferronikeli nuk e zvogëlon numrin e punëtorëve
Albulena S. MAVRAJ
Prishtinë, 7 prill - NewCo Ferronikeli nuk pritet që në një të ardhme të afërt ta shtojë numrin e punëtorëve. Në rast se miniera e Çikatovës do të jetë aktive përsëri, kjo kompani do ta marrë një numër të kufizuar të punëtorëve shtesë.
Zëdhënësja e NewCo Ferronikeli, Sherife Kçiku-Vishaj, pasi ka konfirmuar se kjo kompani nuk e ka ndërmend ta rrisë numrin e punëtorëve, ka shtuar se prodhimi në këtë kompani varet nga çmimi i nikelit në berëz.
NewCo Ferronikeli ka mundësi ta rrisë prodhimin. Eksportet varen kryesisht nga çmimi i nikelit në berëzat ndërkombëtare. Për momentin çmimi është relativisht i ulët, prandaj prodhimi dhe eksporti të mbesin në nivelin e tanishëm. Nëse çmimi i nikelit rritet në një nivel, me çrast kompania do të ketë me shumë interes, atëherë do të rritet edhe prodhimi dhe si pasojë do të kemi edhe eksport më të madh, ka deklaruar ajo për gazetën "Epoka e re".
Ajo ka shtuar se eksportet e NewCo Ferronikeli-t ishin të njëjta në raport me vitin e kaluar sa i përket periudhës janar-mars.
NewCo Ferronikeli e eksporton 100 % të prodhimit të vet. Eksportet ishin pak a shumë të njëjta në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sepse edhe prodhimi ishte pak a shumë i njëjtë, ka potencuar Vishaj.
Ndërkaq sa i përket eksportit të NewCo Ferronikelit, ajo ka bërë me dije se kjo kompani eksporton kryesisht në Itali dhe në shtetet aziatike, me theks të veçantë në Indi. Sa iu përket kushteve klimatike të të bërit biznes, ajo ka deklaruar se kushtet e përgjithshme për këtë lloj kompanie janë të shkëlqyeshme.
Kushtet e përgjithshme janë të shkëlqyeshme për këtë lloj fabrike, të cilën mund ta gjeni vetëm në vendet shumë të zhvilluara, ka thënë ajo. Mirëpo problemi më i madh, sipas saj, në të ardhmen do të ishte shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike.
Problemi më i madh për të ardhmen e kompanisë sonë do të ishte shtrenjtimi i çmimit të rrymës, sepse kjo do ta vështirësonte edhe më tepër operimin, është shprehur ajo.