Ferizaj, mbahet Berza e Punësimit Kosova 2012
Prishtinë, 25 maj - Pas Prizrenit dhe Gjakovës, Berza e Punësimit Kosova 2012, rezultoi të jetë mjaftë e suksesshme edhe në Ferizaj, ku sot në prani të përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, udhëheqësve komunalë të Ferizajt, përfaqësuesve të shumtë të bizneseve, Aleanca Kosovare e Biznesit, organizoi aktivitetin, tashmë tradicional, Berzën e Punësimit Kosova 2012 në komunën e Ferizajt.
Agim Shahini, kryetar i AKB-së, pasi ka përshëndetur të pranishmit, duke shprehur njëherësh mirënjohje për Qeverinë e Republikës së Kosovës, KK të Ferizajt e në veçanti për Qendrën Komunale të Punësimit të MPMS në Ferizaj, tha se sot janë 70 kompani të regjionit të Ferizajt të cilat i janë përgjigjur këtij aktiviteti, që AKB-ja e organizon në partneritet të plotë me Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe konform nevojave të tyre kanë ofruar mbi 200 vende të reja të punës.
Nehat Mustafa, në emër të MAShK ka përgëzuar AKB-në për këtë aktivitet mjaftë të rëndësishëm, që përveç punësimit ofron edhe mundësinë e trajnimit dhe të aftësimit profesional të punëkërkuesve, kurse institucionet shtetërore përkushtimin ndaj aftësimit profesional më së miri e dëshmuan pikërisht dje me inaugurimin e Qendrës së Aftësimeve Profesionale po në Ferizaj, ka thënë Mustafa.
Në emër të MPMS me një fjalë rasti të pranishmëve u është drejtuar edhe këshilltari politik i MPMS, Behxhet Gaxhiqi, i cili këtë aktivitet e ka cilësuar si mjaftë të qëlluar dhe të suksesshëm kur dihet se papunësia në Kosovë paraqet një ndër sfidat më të mëdha për institucionet tona, ndërsa ky aktivitet tashmë tradicional në Kosovë, po dëshmon përkushtimin institucional të shtetit për uljen e shkallës së papunësisë dhe për gatishmërinë që qeveria të jetë sa më afër qytetarit.
Berza e Punësimit Kosova 2012, më 29 maj do të organizohet në Graqanicë, kurse më 31 maj në Prishtinë.