FEGO dhe Paysera në përkrahje të sektorit të modës
Prishtinë, 11 tetor - Për të tejkaluar pengesat në transferin e parave të sektorit të modës në Kosovë, ekspertë lokal dhe ndërkombëtar nga projekti FEGO i mbështetur nga qeveria Suedeze, kanë nisur të ofrojnë ndihmë në uljen e shpenzimeve të transfereve ndërkombëtare nëpërmjet përdorimit të kompanive fintek të licencuara në Kosovë.
Sektori i modës në Kosovë ka pasur një rritje të madhe gjatë viteve të fundit. Në vitin 2021 ky sektor ka eksportuar gati 10 milion euro me një rritje prej 144 për qind nga viti i mëherëshëm, tregojnë të dhënat e Doganës së Kosovës. Kjo tregon për potencialin e madh që ka ky sektor.
Projekti FEGO dhe kompania Fintek Paysera kanë nënshkruar një marrëveshje që mundëson një fushatë mobilizuese dhe takime të drejtpërdrejta me biznese të modës për t’ju ofruar atyre mundësinë që të pranojnë dhe dërgojnë pagesa nga Bashkimi Evropian me kosto prej 3 eurosh për transfer.
“Ne kemi bërë një hulumtim dhe një nga pengesat e zhvillimit të sektorit është transferi i kushtueshëm ndërkombëtar nga Kosova”. ka thënë Fisnik Bajrami nga Projekti FEGO. Pasi kemi bërë një hulumtim në treg kemi parë se ka institucione që mund të ofrojnë këtë shërbim me një kosto më të ulët.
“Ne kemi vlerësuar që mund të punojmë së bashku në digjitalizimin e transfereve dhe uljen e kostove”.
Shpenzimet bankare kanë një përqindje të madhe të kostos për shkak të shitjeve me pakicë. Për fustane që kushtojnë deri në 300 Euro shpenzimet e transferit kanë arritur të marrin 10 deri 30 përqind të çmimit të përgjithshëm e deri 50 përqind të kostos. Një gjë që e ka vështirësuar operimin në këtë sektor.
Paysera që është një kompani Fintek e licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës ofron pranimin e parave në sistemin SEPA me kosto prej 3 eurosh. Gjithashtu për klientin që paguan transferet nga BE-ja, Zvicra, Norvegjia dhe Britania e Madhe në Paysera jane falas, të shpejta dhe të sigurta.
“Ne tashmë punojmë me këtë sektor por gjithsesi se ka mundësi të punojmë edhe më shumë”, ka thënë Bashkim Zeqiri CEO i Paysera Kosova. “Ne kemi futur resurse ne reklamimin e produkteve tona për industrinë e modës”, ka shtuar ai.
“Tashme kompanitë me emër si Walone dhe Tabja, Lia Stublla dhe shumë të tjerë punojnë me Paysera dhe ata janë klientë të kënaqur siç edhe tregojnë videot e prodhuara”, ka shtuar Zeqiri.
Fushata është financuar më shumë se 60 për qind nga Paysera. Projekti FEGO zbatohet nga organizata joqeveritare Swiscontact dhe është i financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar.
Projekti ka për qëllim përkrahjen e eksportit Kosovarë për të zvogëluar disbalansin tregtar.