Evropa mbetet rajoni më konkurrues në botë

Bruksel, 5 shtator - Pavarësisht krizës së euros, gjashtë vende evropiane janë në top-listën e dhjetë vendeve më konkurruese në botë.
Ky është përfundimi i raportit të ri për Konkurrencën Globale i Forumit Ekonomik Botëror.
Zvicra, Singapori dhe Finlanda kryesojnë listën e renditjes botërore të vendeve më konkurruese që publikoi të mërkurën (2012/05/09) në Gjenevë Forumi Ekonomik Botëror.
Megjithë krizën e euros lista ende vazhdon të dominohet qartë nga vendet e Evropës Veriore dhe Perëndimore.
Sepse përveç Zvicrës dhe Finlandës, Suedia renditet në vendin e katërt, Holanda në të pestin, Gjermania mbeti si vitin e kaluar në vendin e gjashtë kurse Britania e Madhe u ngjit nga vendi i dhjetë në të tetin. Pyetja mbetet nëse kjo do të vazhdojë kështu nëse kriza e euros zgjat më shumë.
Margarete Drzeniek nga Forumit Ekonomik Botëror (WEF), një nga autoret e studimit thotë:
\"Ajo që shohim në vendet e Evropës Perëndimore, janë disa nga pikat e forta që kanë formuar gjatë viteve, veçanërisht në sektorin institucional, në infrastrukturë, në fushën e inovacionit. Për vitet e ardhshme ne presim që këto pika te forta të mbeten ende dominuese në Evropën Perëndimore. Ne kemi parë gjithashtu se këto vende ja kanë dalë shumë mirë mbanë në krizë, dhe ne presim që kjo do të mbetet kështu.\"
Ndërsa Suedia dhe Finlanda kanë ndryshuar vendet tre dhe katër, Danimarka ka rënë nga vendi i tetë ne të dymbëdhjetin, Franca ra nga rangu 18 në 21.
Austria i ngjit nga vendi 19 në 16. Por në Evropën jugore vazhdoi prirja për rënie. Margarete Drzeniek WEF:
\"Konkretisht kjo do të thotë se, për shembull, Greqia ka rënë brenda 5-6 viteve të fundit me rreth 30 vende, dhe sot Greqia është në vendin e 96 ndër 144 vende. Ndërsa Gjermania, për shembull, gjendet në vendin e gjashtë. Kjo do të thotë ne shohim një dallim shumë të madh midis anëtarëve të ndryshëm të Bashkimit Evropian, veçanërisht në zonën e euros, dhe këto dallime në konkurrencë padyshim do ta vënë nën presion stabilitetin e Bashkimit Evropian.\"
Në vitet e fundit vihej re se ekonomitë e vendeve me hop zhvillimi ekonomik po bënin përpara në krahasim me vendet industriale. Por kjo prirje duket se është ndërprerë:
Kina ra tri pozicione dhe renditet e 29-ta, India ka rënë po ashtu tri pozicione dhe renditet në vendin 59, Rusia humbi një vend në dhe është e 67-ta. Edhe Afrika e Jugut ka humbur një vend. Vetëm Brazili u përmirësua me pesë vende duke u renditur në vendin e 48-të.