Eurozonë, ulet deficiti, rritet borxhi publik

Bruksel, 22 tetor - Të dhënat e Zyrës Europiane të Statistikës Eurostat treguan se eurozona reduktoi në masë shumë të madhe deficitin fiskal në fund të vitit të kaluar si rezultat i programeve qeveritare të kursimeve në shpenzime dhe rritjes së taksave për të rifituar besimin e tregjeve financiare.
Por të dhënat e eurostat treguan se pavarësisht kësaj borxhi publik regjistroi rritje.
Eurostat tha se deficiti buxhetor për 17 vendet e eurozonës ra në 4.1 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për vitin 2011 kundrejt 6.2 për qind në fund të 2010 që ishte dhe viti i parë i krizës së borxheve sovrane.
Por pavarësisht kësaj borxhi publik në eurozonë u rrit në 87.3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto kundrejt 85.4 për qind që u regjistrua në fund të vitit 2010.
Gjermania rrëzoi deficitin buxhetor në 0.8 për qind në 2011 kundrejt 4.15 në 2010 dhe borxhi publik u ul në 80.55 të ekonomisë nga 82.5 për qind në krye të vitit.
Irlanda ka regjistruar uljen më spektakolare të deficitit në 13.4 për qind nga 30.9 për qind në krye të vitit, por borxhi publik u rrit në 106.4 për qind të totalit të ekonomisë kundrejt 92.2 për qind në fund të vitit 2010.
Ndërsa Greqia regjistron nivelin më të lartë të borxhit publik në 170.6 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe shifra është rritur pavarësisht se ka ulur deficitin në 9.4 për qind për vitin 2011 kundrejt 10.7 për qind në 2010 dhe 15.6 për qind në vitin 2009.