Euro-s i zgjatet jeta në takimin e BE-së
Bruksel, 26 mars - Presidentët dhe kryeministrat e vendeve të Bashkimit Europian ranë dakord për një paketë reformash për stabilizimin e euros.
Në reforma bën pjesë edhe fondi i përhershëm i shpëtimit për vendet e zhytura në borxhe.
Kancelarja Merkel nuk e ka të lehtë kësaj here, sepse ndërsa BE-ja do që Gjermania të ofrojë sa më shpejt dhe sa më shumë para për ombrellën e shpëtimit financiar të euros, në Gjermani kërkohet e kundërta.
Pas dorëheqjes së Kryeministrit portugez, José Socrates, i cili dështoi me kursin e tij të kursimit, duket se Greqisë dhe Irlandës do t\'u shtohet edhe Portugalia.
Kancelarja Angela Merkel i mbrojti paktin e stabilitetit dhe ombrellën e shpëtimit, duke i quajtur si mekanizma për shpëtimin e qëndrueshëm dhe për përmirësimin e aftësisë konkurruese.
Ajo tha: \"Nuk mund të paguajmë me të njëjtën monedhë dhe megjithatë të bëjmë një politikë krejt tjetër, p.sh. t\'i rrisim rrogat më shpejt se sa gjithë të tjerët, ose të kemi një aftësi konkurruese shumë më të keqe se të tjerët\".
Siguria e centralëve atomikë është një temë tjetër e rëndësishme e takimit të nivelit të lartë të BE-së në Bruksel. Kancelarja gjermane, Angela Merkel kërkoi që të gjitha vendet të bien dakord për testimin e centralëve atomikë në Europë.
Merkel tha se Europa duhet të nxjerrë mësimet e veta nga ngjarjet në Fukushima të Japonisë. Merkel kërkon që, \"niveli i sigurisë së centralëve atomikë në Europë të jetë më i larti i mundshëm\".
Në lidhje me konfliktin në Libi, Merkel përforcoi kërkesën për një embargo të plotë dhe gjithëpërfshirëse kundër Muammar el Gaddafi. Europa duhet të bëjë të qartë se, \"ne nuk bëjmë biznes dhe tregti me dikë që zhvillon luftë kundër popullit të vet.
BE-ja ka vendosur deri tani një sërë sanksionesh kundër Libisë, së fundi embargo ndaj sipërmarrjes kombëtare libiane të naftës dhe filialeve të saj. Fillimi i takimit të nivelit të lartë të BE-së në Bruksel u shoqërua edhe me demonstrata, disa të dhunshme e disa paqësore.
Në një demonstratë përpara vendit të takimit të nivelit të lartë, në të cilën morën pjesë rreth 20 000 vetë, ata protestuan kundër politikës drastike të kursimeve. Gjatë demonstratës pati edhe përleshje me policinë.
Protestuesit shkulën gurë nga trotuaret dhe qëlluan punonjësit e policisë, të cilët përdorën kundër demonstruesve pompa uji dhe gaz lotsjellës.
Njoftohet për një numër policësh të plagosur lehtë si dhe për dëme materiale. Në një demonstratë tjetër po në Bruksel kishin ardhur për të marrë pjesë edhe protestues nga Franca, Luksemburgu dhe Holanda.
Kjo demonstratë kaloi në qetësi. Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, tha në një konferencë për shtyp se, Europa do të vazhdojë ta ndjekë parimin e shtetit social dhe se BE-ja i merr seriozisht shqetësimet e protestuesve.
Ai tha se masat që po merr BE-ja nuk kanë të bëjnë me shpërbërjen e mbrojtjes sociale, por synojnë që Europa të bëhet më konkurruese, të krijojë vende të reja pune dhe të sigurojë standardin e jetesës për të gjithë qytetarët.