Euro bie në kuotën më të ulët në dy vjet kundrejt dollarit
Frankfurt, 13 korrik - Euro u shkëmbye dje për 1.2165 dollarë, kuota më e ulët e regjistruar në dy vjet, njofton agjencia Reuters.
Euro ka qenë në rënie të konsiderueshme gjatë muajit të fundit, nga kuota 1.31 USD në vetëm 1.21 për shkak të krizës në Eurozonë, e acaruar me zgjedhjet e përsëritura në Greqi dhe me pasigurinë e udhëheqësve Europianë për të marrë vendime të forta.
Rezervat Federale në SHBA bënë të ditur se nuk kishin ndër mend të hynin në një fazë të re të lehtësimit sasior, termi modern i përdorur për printimin dhe hedhjen në treg të më shumë dollarëve.
Ndërkohë, javën e kaluar Banka Qëndrore Europiane uli më tej normën e vet bazë të interesit ku depozitat përgjatë të gjithë natës pranohen përkundrejt interesit zero.
Bondet e Gjermanisë janë shitur për interes negativ prej -0.03 për qind, gjë që nënkupton që për herë të parë në histori, investitorët janë të gatshëm të paguajnë interesa vetëm që paratë e tyre të jenë të sigurta.
Por kjo gjë solli edhe shumë shitje të euros për monedha të tjera ndërkombëtare dhe rënie të vlerës së monedhës së përbashkët.