Embargoja, 250 milionë humbje Serbisë
Beograd, 25 gusht - Embargoja e Prishtinës ndaj Serbisë, i ka shkaktuar kësaj të fundit 250 milionë dollarë humbje. Mediat serbe e citojnë këtë masë si ekstreme duke shtuar se prej kësaj do të përfitojnë fqinjët.
Kompani nga Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia kanë filluar që tani të përfitojnë nga ndalimi i importit të mallrave serbe të vendosura nga autoritetet në Prishtinë. Është vlerësuar se ekonomia serbe do të pësojë një humbje prej 250 milionë dollarësh deri në fund të vitit për shkak të ndalimit të tregtimit të mallrave, vlerëson Blic.
Duke shtuar më tej statistikat se Serbia vitin e kaluar, ka eksportuar mallra me vlerë prej 400 milionë dollarësh në Kosovë, ndërsa gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2011, janë dërguar mallra me vlerë 202 milionë dollarë çka përfaqëson një rritje 15 për qind në raport me vitin e kaluar.
Sipas serbëve, Bullgaria është shteti i parë që është përpjekur për të marrë pjesë të tregut në Kosovë, duke cituar se janë 700 kompani bullgare që janë duke bërë hapa serioze për të hyrë tregun e Kosovës.
Ndërkaq, biznesmenët e Kosovës vlerësojnë se Bullgaria mund të fitojë nga shitja e produkteve bujqësore 300 milionë euro në vit.
Nga ana tjetër, kryeministri kroat Jadranka Kosor i cili dje u takua në Prishtinë me homologun e Kosovës, Hashim Thaçi, ishte i shoqëruar nga përfaqësues të rreth 50 kompanive nga Kroacia, ndërsa 120 kompani nga Kroacia tashmë janë të pranishme në Kosovë.
Maqedonia ka bashkëpunim të mirë ekonomik me Kosovën që më herët, ku vitin e kaluar ai arriti një vlerë prej 320 milionë dollarësh.