Eliminimi i tatimeve të dyfishta mes Kosovës e Maqedonisë
Prishtinë, 23 shkurt - Ekipet e ekspertëve të Republikës së Kosovës dhe ata të Republikës së Maqedonisë, gjatë një takimi që kanë pasur të mërkurën kanë harmonizuar të gjitha detajet e marrëveshjes për eliminimin e tatimeve të dyfishta ndërmjet dy vendeve.
Nënshkrimi që ekspertët kanë vënë në këtë dokument hap rrugën e nënshkrimit formal të marrëveshjes edhe nga përfaqësuesit politik, përkatësisht ministritë përkatëse nga të dyja vendet.
Marrëveshja ka një rëndësi të veçantë për sektorin e biznesit pasi që paraqet një standard të vetëm ligjor që mund të përdoret nga investuesit e të dyja vendeve. Heqja e këtyre tatimeve pritet të rezultojë në rritjen e investimeve të investitorëve kosovarë në Maqedoni, si dhe anasjelltas.
Më herët në nivel të ekspertëve është harmonizuar edhe Marrëveshje për eliminimin e tatimeve të dyfishta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.