Eksportuesit përballen me probleme të ndryshme
Prishtinë, 16 maj - Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, ka thënë se eksportuesit e Kosovës përballen me probleme të natyrave të ndryshme për ti plasuar produktet e tyre në tregjet e Bashkimit Evropian (BE).
Madje, sipas tij, Kosova në këtë aspekt është shumë liberale, pasi shumë produkte mund të importohen në vendin tonë, ndërsa në rast të eksportit, prodhuesit e Kosovës hasin në probleme të ndryshme, pasi është e vështirë të plotësohen standardet të cilat i kërkon BE-ja. Siç e dimë, Kosova është një prej vendeve më liberale sa i përket tregtisë në botën jashtme. Ne nuk kemi asnjë problem që produktet e tjera të vijnë në Kosovë, por ne kemi problem që produktet tona ti qesim jashtë tregut të Kosovës në vende të ndryshme, pasi ka kritere dhe standarde të ndryshme që është e vështirë për ne që ti plotësojmë, prandaj është më mirë të shkojmë hap pas hapi, ka deklaruar Hasani.
Ai në këtë intervistë për gazetën Epoka e re ka thënë se në Kosovë mungojnë laboratorët dhe kuadrot profesionalë që do të punonin në ata laboratorë, në mënyrë që të bëhet certifikimi dhe standardizimi i produkteve, të cilat do të eksportoheshin në tregun e Bashkimit Evropian. Sipas tij, problemi qëndron te produktet e botës bimore dhe produktet, të cilat hyjnë në procesin e përpunimit. Ne kemi shumë kompani të cilat kanë shumë produkte kualitative. Po ashtu, kemi edhe shumë kompani të cilat nuk kanë produkte kualitative. Ne ende nuk kemi organizata apo agjenci të cilat e bëjnë certifikimin e kualiteteve, kështu që na mungon certifikimi, prandaj kompanitë tona kanë dyshime në qoftë se dalin në tregun e Bashkimit Evropian. Deri më tani nuk kemi probleme me produktet bimore, të cilat merren nga natyra ose kryesisht me mineralet e tregut, siç janë: nikeli dhe zinku. Problemi më i madh qëndron te produktet e botës shtazore, për të cilat nevojiten edhe pesë vjet në mënyrë që ti plotësojnë kushtet për tu plasuar në tregjet e BE-së, është shprehur Hasani. (Albulena S.Mavraj)