Eksporti rritet për 9.8 për qind, ndërsa importi bie për 18 për qind
Prishtinë, 5 nëntor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin shtator 2013.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për muajin shtator 2013, prej 185,5 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 234,9 milionë euro me periudhën e njëjtë të vitit 2012.
Eksporti mbulon importin vetëm 11.8 për qind.
Eksporti në muajin shtator 2013 kishte vlerën 24,8 milionë euro, ndërsa importi 210,4 milionë euro.
Kjo tregon një rritje prej 9.8 për qind për eksport, si dhe një rënie prej (-18.3 për qind) për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 49.0 për qind të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.3 për qind produktet minerale; 9.1 për qind produktet bimore; 7.2 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.0 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 3.9 për qind tekstili dhe artikuj e tij, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 19.3 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale; 12.0 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.7 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.6 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 7.5 për qind produktet e industrisë kimike; 6.3 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.
Partnerët kryesorë tregtarë, sa i përket eksportit dhe importit në Kosovë, në raport me totalin e muajit, janë vendet e BE-së, të cilat marrin pjesë me 31.9 për qind për eksport dhe 42.7 për qind për import. Ndërsa, vendet e CEFTA-së marrin pjesë me 41.1 për qind për eksport dhe 31.1 për qind për import.
Përqindja më e madhe e eksportit ishte në: Shqipëri 18.1 për qind; Itali 17.3 për qind; Indi 15.7 për qind; Maqedoni 9.1 për qind; Mal të Zi 6.8 për qind; dhe Serbi 5.8 për qind.
Ndërsa, përqindja më e madhe e importit është nga: Serbia 12.1 për qind; Gjermania 11.3 për qind; Italia 10.5 për qind; Turqia 8.3; Kina 7.6 për qind; si dhe Maqedonia 7.0 për qind etj.