Eksporti i Shqipërisë arrin vlerën 21 miliard lekë në mars

Tiranë, 29 prill - Eksporti i mallrave shqiptare në muajin mars të këtij viti arriti vlerën 21 miliardë lekë, duke u rritur me 10,3% në krahasim me muajin mars 2013 dhe 4,9% në krahasim me muajin shkurt 2014.
Instituti i Statistikave të Shqipërisë, INSTAT, bëri të ditur sot se rritje më të madhe vjetore ka patur në eksportet e grupeve: Prodhime druri dhe letre me 74,5%, Produkte kimike dhe plastike me 48,9% dhe Tekstile dhe këpucë me 41,3%. Ndërsa ulje më të madhe vjetore pati eksporti i grupit Lëkurë dhe artikujt prej tyre me 15%.
Në muajin mars 2014 importi i mallrave arriti vlerën 42 mld lekë, duke u rritur me 10,7% në krahasim me muajin mars 2013 dhe 8% në krahasim me muajin shkurt 2014.
Rritje më të madhe vjetore ka patur në importet e grupeve: Tekstile dhe këpucë me 26,2%, Prodhime druri dhe letre me 21% dhe Materiale ndërtimi dhe metale me 18,2%. Ulje më të madhe vjetore pati importi i grupit: Produkte kimike dhe plastike me 2,7%.
Defiçiti tregtar i këtij muaji është 21 mld lekë, duke shënuar një rritje me 11,2% krahasuar me muajin mars 2013 dhe 11,4% në krahasim me muajin shkurt 2014.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 68,1% të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (36,8%), Greqia (8,4%), Kina (5,6%) dhe Turqia (5%).