Eksporti i Kosovës në Shqipëri është rritur me 11 për qind
Prishtinë, 30 gusht - Sot në pikën kufitare Vërmicë është mbajtur një takim i përbashkët i dy administratave Doganore të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm Lulzim Rafuna priti sot zëvendës drejtorin e Doganës së Shqipërisë Gëzim Demushi me bashkëpunëtor.
Në takim u diskutua rreth bashkëpunimit mes këtyre dy shteteve, ku si rezultat i këtij bashkëpunimi vërehet edhe zhvillimi i bizneseve në të dy vendet.
Vetëm gjatë këtij gjashtë mujori importi i Shqipërisë është rritur me 30% kurse edhe eksporti Kosovar në Shqipëri është rritur me 11%.
Temë tjetër ishin edhe informimi lidhur me implementimin e procedurave te reja nga Dogana e Kosovës.
Sa i përket çështjes së importit përmes terminaleve doganore Rafuna tha se Dogana e Kosovës nuk ka vendosur ndonjë taksë shtesë e cila duhet të paguhet, por se Dogana e Kosovës ka lëvizur nga zhdoganimet në kufi në zhdoganime të brendshme e cila është edhe një praktikë evropiane e cila zbatohet në të gjitha vendet evropiane dhe rajonale e që gjithashtu është kërkesë e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimi (MSA) dhe procesit të liberalizimit të vizave.
Demushi tha se edhe pala shqiptare është falënderuese dhe është e gatshme të bashkëpunojë për krijimin e lehtësirave doganore në kuadër të ligjeve respektove.
Si rezultat i takimit të përbashkët dy Doganat u pajtuan që të themelojnë grupe punuese të përbëra nga stafi i dy Doganave ashtu që trajtohen procedurat Doganore të cilat do të ndikonin direkt në thjeshtësimin e mëtejmë të procedurave të importi dhe eksportit të mallrave.