Eksportet turke arrijnë në 11.2 miliardë dollarë gjatë muajit shkurt
Ankara, 2 mars - Sipas të dhënave të Asamblesë së Eksportuesve të Turqisë (TIM) në shkurt 2017 eksportet e Turqisë janë rritur me 5,1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Asambleja e Eksportuesve të Turqisë (TIM) ka publikuar të dhënat e eksportit për muajin shkurt.
Sipas shifrave në fjalë, në shkurt 2017 eksportet u realizuan në vlerën e 11 miliardë e 296 milionë dollarëve.
Krahasuar me shkurtin e 2016-s eksportet u rritën me 5,1%.
Ndërsa rritja vjetore e eksporteve me 2,6% bëri që eksportet të arrijnë vlerën e 143,2 miliardë dollarë (sipas llogaritjes vjetore).
Ndikimi më i dukshëm në rritjen e eksporteve ka qenë ai i sektorit të ullirit dhe vajit të ullirit, me një rritje prej 82,3%, i ndjekur nga sektori i argjendarisë me 64%.
Sektorët që kanë realizuar më shumë rritje të eksporteve duke marrë për bazë vlerën e dy muajve të parë të vitit ishin sektori automobilistik, ai i lëndëve dhe produkteve kimike bashkë me sektorin e çelikut.
Vendet me të cilat është bërë më shumë eksport në muajin shkurt 2017 janë respektivisht: Kina, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Kurse Sakarya është provinca që i ka rritur më shpejt eksportet, me një rritje prej 167%.
Presidenti i Asamblesë së Eksportuesve të Turqisë (TIM), Mehmet Byjykekshi (Mehmet Büyükekşi) tha se pritshmëritë janë që rritja e eksporteve të vazhdojë edhe në muajin mars.