29 Dhjetor 2024

Ekonomia e Britanisë mbështetet tek tregtia dhe shërbimet financiare

Prishtinë, 26 janar - Kryeministri britanik David Cameron ka filluar një proces që mund të çojë edhe në daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian, gjë që analistët thonë se do të dëmtonte rëndë ekonominë e vendit.
 
Ekonomia e Britanisë mbështetet tek tregtia dhe shërbimet financiare. Lëvizja e lirë e mallrave dhe e shërbimeve mes saj dhe kontinentit evropian ka qenë një ndihmë e madhe, por britanikët, gjithnjë e më shumë, e shohin Bashkimin Evropian si një shkelje të padëshiruar të sovranitetit të tyre.

Kjo ka shtyrë kryeministrin Cameron të premtojë një ri-negocim të lidhjeve të Britanisë me BE-në dhe zhvillimin e një referendumi brenda pesë vitesh, nëse ai zgjedhet sërish në mesin e procesit.

\"Kemi qenë shumë të qartë lidhur me gjërat që duam të ndryshojmë. Ka disa fusha, si legjislacioni social, legjislacioni i punësimit apo legjislacioni i mjedisit, në të cilat Evropa e ka tepruar.\"

Zoti Cameron tha se ai dëshiron vazhdimin e tregut të përbashkët, por vetëm duke shmangur disa nga rregullat e tij, një qasje që analisti Stephen Tindale, i Qendrës për Reforma Evropiane, thotë se nuk mund të funksionojë.

\"Plani i tij është i parealizueshëm, sepse do të ngriheshin shumë barriera, rregullore të ndryshme apo standarde të pabarabartë, kështu që prodhimet nuk do të mund të tregtohen aq lirisht brenda Evropës sa tani.\"

Ky parashikim duket i dëmshëm për biznesin, por 56 udhëheqës të biznesit britanik e mbështetën planin e kryeministrit, duke përfshirë krerët e bursës së Londrës dhe një nga bankat më të mëdha të vendit. Ata kritikuan atë që e quajtën \"një barrrë gjithnjë e më rëndë nga Brukseli\".

Por zoti Tindale paralajmëron se ndryshimet e parashikuara nga udhëheqësit e biznesit dhe kryeministri britanik kanë shumë mundësi të mos pranohen nga udhëheqësit e tjerë evropianë.

\"Vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian me siguri do ta lejojnë Britaninë të dalë prej federatës nëse lista e kërkesave për rikthimin e pushtetit do të ishte tepër e gjatë.\"

Zyrtarët evropianë kanë shfaqur disa shenja të tilla, duke përfshirë edhe zëdhënësen e qeverisë franceze.

\"Të qenit anëtar i Bashkimit Evropian sjell një numër detyrimesh, dhe Evropa tek e cila ne besojmë dhe në të cilën ne jetojmë është një pakt solidariteti i cili vlen për të gjitha shtetet anëtare. Përndryshe nuk do të ishte solidaritet.\"

Por Britania nuk ka qenë asnjëherë e interesuar për solidaritet të plotë me anëtarët e tjerë të BE-së. Disa vite më parë, vendi zgjodhi të mos përfshihej në dy aspekte kyçe të Bashkimit, monedhën e përbashkët dhe marrëveshjen e kufijve të hapur.

Eksperti i politikave evropiane i universitetit “London School of Economics”, Iain Begg, thotë se ndërkohë që kriza e euros po shtyn shumicën e kontinentit drejt një integrimi më të ngushtë, Britania dëshiron më pak bashkim.

\"Mendoj se Evropa po shkon drejt një integrimi më të madh, dhe Britania shqetësohet gjithnjë e më shumë për këtë tendencë federalizimi. Për këtë arsye, mendoj se ndarja prej Bashkimit është alternativa e vetme.\"

Por kryeministri Cameron dhe mbështetësit e tij thonë se nuk duan ndarje, por një marrëdhënie më të mirë. Megjithatë, plani për negociata me 26 anëtarët e tjerë të BE-së dhe referendumi i parashikuar sjellin shumë pasiguri, dhe ekspertët thonë se kjo mund ta çonte Britaninë drejt rrugës që zoti Cameron thotë se nuk dëshiron: ndarja nga Bashkimi Evropian.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)