25 Dhjetor 2024

ECIKS: Kosova lë gjurmë në Berlin

Berlin, 9 mars - Konferenca e nivelit të lartë mbi investimet në Kosovë, e mbajtur me 7 mars në Berlin nën organizimin e Nismës Ekonomike për Kosovën (ECIKS) dhe institucioneve partnere, vlerësohet të ketë dhënë një kontribut të çmuar në fillimin e ndryshimit të percepetimeve gjermane për kushtet dhe mundësitë e investimeve dhe të të bërit biznes në Kosovë.

Mbi njëqind investitorë potencial, përfaqësues të interesave të biznesit gjerman, parlamentarë, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme Gjermane, diplomatë e vendimmarrës nga politika dhe ekonomia kanë dëgjuar dëshmi nga përfaqësuesit e Kosovës, investitorët e huaj që tashmë kanë investuar në Kosovë dhe nga personalitete të rëndësishme publike gjermane e austriake mbi aktualitetin politik dhe ekonomik në Kosovë.

Në panelin e parë ku merrnin pjesë zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, udhëheqësi i Konferencës së Sigurisë në Mynih Wolfgang Ischinger, ish-vicekancelari austriak Erhard Busek,  ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, kryetari i ECIKS Kujtim Dobruna, përfaqësuasi i Ministrisë gjermane për Ekonomi dhe Teknologji Helge Tolksdorf si dhe drejtori i komitetit gjerman për marrdhënie ekonomike Rainer Lindner, u tha se Kosova ka arritur të krijojë një bazë të shëndoshë të zhvillimit ekonomik, e cila duhet të përcjellet me reforma të vazhdueshme politike dhe ekonomike.

Përkundër sfidave aktuale, ekonomia e Kosovës vazhdon të shënojë rritje dhe të tërheqë investime të huaja. Kosova, krahas Ukrainës dhe Turqisë, do të jetë edhe sivjet një ndër shtetet me shkallën më të lartë të rritjes ekonomike në Evropë.

Për të rritur atraktivitetin si destinacion për investime të huaja, vendit i duhet të vazhdojë me reformat në klimën afariste, të forcojë sundimin e ligjit dhe të investojë më shumë në arsim dhe në mbështetjen e sektorit privat, u tha mes tjerash në këtë panel.

Konferenca, që u hap nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, Vilson Mirdita dhe u përshëndet nga ambasadori austriak në Berlin Ralph Scheide dhe nga përfaqësuesja e Commerzbankës, vazhdoi me panelin e dytë, ku u paraqitën storjet e suksesit të investitorëve të huaj.

Pas fjalës hyrëse të shefit të IPAK, Valdrin Lluka, dhe shpalosjes së bazës ligjore për investimet e huaja nga avokati Dastid Pallaska, përfaqësues të tri kompanive të huaja që kanë investuar në Kosovë Birra Peja/Union dhe Xella paraqitën përvojat e tyre duke inkurajuar investitorët gjermanë që të mos hezitojnë të mësyjnë tregun e Kosovës, sepse realiteti është më i mirë se sa perceptimet ekzistuese.

Konferenca është organizuar nga Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS) në vazhdën e aktiviteteve për promovimin e Kosovës në regjionin gjermanofolës, dhe është mbështetur nga Ambasada e Kosovës në Berlin, Komiteti Gjerman për Marrdhënie Ekonomike dhe Shoqata Gjermane për Evropën Juglindore, me financim nga qeveria austriake.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)