Dyqani i bamirësisë Teshavesha tani me pikë në qendër të qytetit
Prishtinë, 6 mars - Falë mbështetjes së donatorëve dhe mobilizimit të qytetarëve, dyqani bamirës i dorës së dytë Teshavesha po rritet çdo ditë dhe po vjen në një lokacion më të madh në qendër të qytetit.
Duke filluar nga sot, dyert e lokacionit të ri të dyqanit Teshavesha u hapën në rrugën Fazli Grajqevci nr. 271, pak më poshtë librarisë Dit e Nat në drejtim të ish-ndërtesës së OSBE-së apo ndryshe mbrapa Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Që nga hapja e dyqanit për herë të parë në Prishtinë në korrik të vitit 2016, Teshavesha vizitohet nga më shumë se 400 qytetarë çdo muaj të cilët dhurojnë dhe blejnë gjësendet e dyqanit tonë. Dyqani madje ka mobilizuar fytyra publike, media, organizata të shumta e dizajnerë.
\"Për ekipin tonë është inkurajues i gjithë ky mobilizim i qytetarëve dhe kjo mbështetje, andaj edhe po i përgjigjemi kërkesës së tyre dhe po ndërrojmë lokacionin në qendër të qytetit. Deri tash kemi operuar rrugës për Gërmi, ndërsa tani jemi mbrapa QKMF-së tek Qafa - deklaron Janinë Mehmeti, koordinatore në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.
Dyqani bamirës i dorës së dytë Teshavesha vazhdon të jetë i hapur çdo ditë të javës prej orës 10:00 - 18:00 si dhe të shtunave prej 12:00 16:00. Gjatë këtij orari qytetarët mund të sjellin donacionet e tyre dhe të blejnë në këtë dyqan bamirës.
Teshavesha është ndërmmarje sociale e themeluar nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe bën pranimin dhe shitjen e rrobave të dorës së dytë nga qytetarët. Të hyrat nga shitjet e dyqanit ndihmojnë shëndetin e nënave dhe fëmijëve duke financuar projektet e këtij fondacioni si: blerjen e medikamenteve, zhvillimin e projektit të transportit neonatal, blerjen e pajisjeve mjekësore si inkubatorë, foto-llampa, monitor kardiopulmonar, ventilatorë, tubues e pajisje të tjera, si dhe zgjerimin e shërbimeve të qendrave informuese për shëndetin e gruas.