Dyqanet ushqimore në Kosovë do të punojnë me orar të shkurtuar
Prishtinë, 17 mars - Shoqata e Rrjetit të Shitësve me Pakicë në Kosovë ka bërë të ditur se dyqanet e produkteve ushqimore, duke filluar nga data 17 mars, do të punojnë me orar 12-orësh.
Ky veprim merret si masë për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Orari i dyqaneve me pakicë, sipas Rrjetit të Shitësve me Pakicë, do të jetë prej orës 8:00 deri në ora 20:00.
“Vendimi ka për qëllim kujdesin e shtuar për stafin e pikave të shitjes, duke shkurtuar orarin e tyre të punës dhe lehtësimin e organizimit të transportit për ta”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.
Në Kosovë, disa dyqane ushqimore punojnë deri në mesnatë, disa të tjera edhe 24 orë.
Numri i njerëzve të prekur me koronavirus në Kosovë ka arritur në 16.
Qeveria ka shpallur gjendje emergjence për shëndetin publik.
Këto masa përfshijnë mbylljen e bareve, restoranteve dhe qendrave tregtare, por jo edhe të dyqaneve ushqimore dhe farmacive.