Dyfishohet importi i kafesë

Prishtinë, 13 shkurt - Heqja e akcizës ka rritur importin e kafesë vitin e kaluar, krahas viteve paraprake. Sipas statistikave të Doganave të Kosovës, në vitin 2011 ishin importuar 856 mijë kilogramë kafe të pjekur, ndërsa një vit më pas importi ka arritur në 990 mijë kilogramë.
Importi i kafesë së bluar është dyfishuar vitin 2012, krahasuar me një vit më parë. Vitin 2011 ishin importuar 3.1 milionë kilogramë kafe të papjekur, ndërsa në vitin 2012 importi i këtij produkti ka arritur në 6.4 milionë kilogramë.
Nga data 15 korrik 2010 ishte hequr akciza për import të kafesë. Norma e akcizës ishte 30 centë për kilogram për kafenë e papjekur dhe 60 centë për kilogram për kafenë e pjekur. Pavarësisht heqjes së akcizës importuesit jo që e kanë zvogëluar çmimin e kafesë, por kohë pas kohe e kanë rritur atë.
Eksperti ekonomik, Lekë Musa, ngritjen e çmimit të kafesë e arsyeton me lëvizjet e çmimit në bursën botërore. Përveç lëvizjeve në çmimin e bursës botërore me sa di unë kohëve të fundit ka ngritje të çmimit edhe për shkak të klimës, e cila nuk është e përshtatshme për kafe dhe kjo ka ndikuar që të bjerë shumë rendimenti i kafesë kohëve të fundit, ka thënë Musa.
Sipas tij, duke e pasur parasysh konsumin e lartë të kafesë në Kosovë shihet se është biznes mjaft fitimprurës. Sipas disa statistikave Kosova është ndër vendet me një konsum më të lartë në Evropë së bashku me Shqipërinë dhe për këtë arsye është biznes shumë fitimprurës. Mirëpo, Kosova duhet të krijojë kushte që të përpunohet sa më shumë kafe këtu duke pasur parasysh këtë trend të konsumit, natyrisht mundëson që të krijojnë vende të reja të punës, ka thënë ai.
Ndërsa Musa Limani ka thënë se edhe pse ky artikull konsiderohet me çmim të lartë, krahasuar me pagat e ulëta në vend njerëzit tashmë kanë krijuar varësi nga ky artikull.
Në artikujt e luksit nuk kursejnë njerëzit për arsye se iu është bërë shprehi, normalisht mund të rrinë pa bukë, por për kafe, cigare e artikuj të tjerë që konsiderohen luks nuk rrinë. Janë artikuj të cilët e nxisin konsumatorin pavarësisht nivelit të të ardhurave, ka thënë Limani.
Një tjetër, ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka thënë se importuesit edhe pse nuk pagujnë më akcizë nuk janë të detyruar ta zbresin çmimin pasi që, sipas tij, këtë ia mundëson ekonomia e tregut të lirë.
Mendoj se ngritja e çmimit bëhet pasi që nuk kanë konkurrencë të mjaftueshme, ose e kanë gjetur një treg i cili nuk bën zë në këtë drejtim. Shteti nuk mund të ndikojë asgjë aty, thjesht është punë e tregut të lirë, ka thënë Shatri.
Gazeta ka kontaktuar disa kompani të cilat importojnë kafe në Kosovë, mirëpo asnjë prej tyre nuk është shprehur e gatshme që të tregojë shifrat e importit, apo nëse do të zbresin ose jo çmimin e kafesë me arsyetimin se këto të dhëna janë konfidenciale.
Importi i kafesë së pjekur
2011
856 mijë kg
2012
990 mijë kg
Importi i kafesë së papjekur
2011
3.1 mil.kg
2012
6.4 mil. kg
/Zeri/