Duhet mbështetje për biznesin privat që të hapen vende pune
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, fillimisht falënderoi Bankën TEB dhe shoqatat e grave për organizimin e këtij takimi i cili ka bërë së bashku gratë dhe vajzat e suksesshme dhe ndërmarrëse të Kosovës.
Me këtë rast ajo uroj të gjitha gratë e vajza te Kosovës, që përkundër rrethanave shpeshherë të vështira e sfiduese, në shoqëri me probleme të shumta të pas konfliktit e të tranzicionit ekonomik, shoqëror e politik kanë arritur të themelojnë e të mbajnë biznese të suksesshme.
Fuqizimi ekonomik i gruas arrihet atëherë kur gruaja e ka edhe mundësinë dhe aftësinë për të arritur sukses dhe për tu avancuar ekonomikisht.
Megjithatë, progresi në fuqizimin ekonomik të gruas nuk ka ecur me ritmin e dëshiruar as në rajonin e Ballkanit, as në vendin tonë shtoi ministrja. Gratë vazhdojnë të përballen me barriera të ndryshme, në disa rajone madje ende përballen me arsimim të kufizuar e në disa të tjera u mungon përkrahja e mjaftueshme institucionale dhe mbrojtja e duhur ligjore që pamundësojnë avancimin e tyre ekonomik.
Minstrja Bajrami theksoi se pjesëmarrja e gruas në ekonomi dhe punësim është shumë më e ulët se e meshkujve. Në Kosovë, për shembull, vetëm 11% e të gjitha kompanive të regjistruara janë në pronësi të grave dhe vetëm 8% e të gjithë pronës/tokës është në pronësi të gruas. Kjo e vështirëson qasjen e gruas në financa.
Qeveria, me përkrahjen e donatorëve ka inicuar një numër të projekteve, me qëllim që të gjenerojë vende të lira pune dhe të mbështetë biznesin privat. Disa nga këto projekte janë: Grante për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, skema voucher- me asistencë teknike për biznesin privat, skema për Garantimin e Kredive, promovimi i produkteve dhe shërbimeve në panairet vendore dhe ndërkombëtare, ngritja e infrastrukturës së parqeve industriale, zonave ekonomike në të cilat parashihet kriteri për favorizimin e grave në biznes. Përmes këtyre projekteve ne jemi munduar që ti adresojmë disa nga barrierat që kanë gratë në të bërit biznes, tha ministrja e MTI-së.
Ministrja shprehu gatishmërinë për vazhdimin e dizajnimit të programeve të tjera që ndihmojnë rritjen e bizneseve të grave. Ajo po ashtu premtoi se MTI-ja do të ketë rol avokues për bizneset e sidomos ato të udhëhequra nga gratë ndërmarrëse.
Në fund ministrja tha sepër projekte të tilla si ky i TEB bankës në bashkëpunim me BERZH që synon të ndihmoj zhvillimin e ndërmarrësisë tek gratë dhe projekte tjera të këtij lloji janë projekte për të cilat ka nevojë vendi