Dogana parandalon kontrabandën me mallra të ndryshme komerciale
Prishtinë, 17 prill - Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka vazhduar me kontrolle intensive duke mbuluar tërë territorin e Kosovës, për mbrojtjen ndaj dukurive negative në vend.
Që nga fillimi i këtij muaji, duke përfshirë të gjitha pikat kufitare, Dogana e Kosovës theksuar se ka zbuluar mallra të ndryshme komerciale, si dhe mallra të ndaluara në tentim kontrabandimi.
Në regjionin e Mitrovicës, njësitet Anti-kontrabandë kanë parandaluar disa raste në tentim kontrabandimi me mallra dhe vetëm gjatë kësaj periudhe në Mitrovicë janë zbuluar 4000 copë pako me barna të ndryshme medicinale me banderola të Serbisë.
Sasia e zbuluar është konfiskuar, po ashtu edhe automjeti me të cilin kontrabandonin mallrat. Ndërsa në dy raste tjera oficerët doganor kanë zbuluar rreth 3000 litra pije joalkoolike, gjithashtu në tentim kontrabandimi.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe në rajonin e Mitrovicës janë zbuluar afro 3000 litra derivate të naftës, pastaj produkte ushqimore të ndryshme në vlerë afro 400 euro, si dhe 3 automjete të pa zhdoganuara.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës gjatë kontrollit rutinor oficerët doganor kanë zbuluar 19 copë telefona mobilë, po ashtu në këtë pikë doganore ndër të tjerash oficerët doganor kanë zbuluar pjesë të ndryshme për lavariçe në vlerë prej 2000 euro, tekstil të ndryshëm që arrin vlerën prej 2085 euro, po ashtu edhe një kamerë profesionale në vlerë prej 2000 euro.
Raste tjera të parandaluara në tentim kontrabandimi, janë zbuluar edhe në Pikën kufitare Vërmicë.
Gjatë kësaj periudhe oficerët doganor kanë zbuluar disa raste me mallra të ndryshme. Vlen të veçohen 2 raste të zbulimit me mallrat e ndaluara, njëri rast me substanca narkotike të llojit Marihuanë rreth 150 gram, ndërsa në rastin tjetër është zbuluar një revole, si dhe 20 fishekë. Po ashtu, edhe një rast tjetër është zbuluar sasi e vajit motorik rreth 150 litra.
Gjatë operimit në Pikën kufitare Dheu i bardhë, oficerët doganor kanë zbuluar disa raste në tentim të shmangies se taksave doganore, duke tentuar të fusin ato në mënyrë ilegale.
Ndër rastet e shumta të zbuluara në këtë pikë kufitare vlen të veçohen sasi të konsiderueshme të barnave pa banderola rreth 300 copë, telefona celularë 22 copë, llap-top 20 copë, si dhe mallrat e tjera të ndryshme komerciale.
Të gjitha rastet e regjistruara si kontrabandë me mallra u janë dorëzuar sektorit për Kundërvajtje doganore, ndërsa rastet me mallrat e ndaluara u janë dorëzuar Policisë së Kosovës, ku ndaj të dyshuarve janë iniciuar procedura për kontrabandim me mallra