Dogana parandalon 21 raste tentim kontrabande
Prishtinë, 20 gusht - Gjatë javës së fundit njësitet e doganës kanë parandaluar rreth 21 raste të ndryshme të tentim kontrabande nëpër vendkalime të ndryshme kufitare.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Doganave të Republikës së Kosovës Adriatik Stavileci sipas të cilit në veri të vendit, Mitrovicë edhe më tutje rastet e tentim kontrabandimit janë më të shpeshta.
Në javën e tretë të muajit gusht njësitë mobile antikontrabandë sipas tij kanë parandaluar disa raste në tentim kontrabande.
Stavileci ka thënë së shumica e rasteve të zbuluara i përkasin tentim kontrabandimit me derivate të naftës , po ashtu edhe të pijeve joalkoolike.
Në disa nga rastet e parandaluara në këtë rajon, njësite antikontrabandë të Doganës se Kosovës sipas tij kanë arritur të zbulojnë rreth 7740 litra derivate të naftës.
"Kundërvajtësit kryesisht janë banorë të Mitrovicës. Sasia e zbuluar menjëherë është konfiskuar dhe I është nënshtruar procedurës së mëtutjeshme", ka theksuar ai.
Ndër rastet e zbuluara njësitë doganore kanë zbuluar edhe disa raste tjera të tentim kontrabandimi si lëngje të gazuara rreth 630 litra, lëngje të pa-gazuara rreth 460 litra, si dhe vaj ushqimor rreth 600 litra.
Po ashtu të gjitha mallrat e zbuluara janë konfiskuar, në disa raste është konfiskuar edhe automjetet me te cilat bartnin mallrat e lartë-përmendura.
Edhe nëpër pikat tjera Doganore si Hani Elezit, Podujevë, u zbuluan disa raste në tentim kontrabandimi, të mallrave të ndryshme, si Aparate për lojëra fati, Syza, CD me përmbajtje fetare etj, kryesisht ishin vlera më të ulëta.
Rastet e zbuluara kishin për qellim kontrabandimi me mallra të ndryshme, duke mos e deklaruar mallin me qellim që ti shmangen taksave doganore.
Të gjitha mallrat e zbuluara janë konfiskuar, dhe do ti nënshtrohen procedurës për kundërvajtje Doganore