Dogana njofton bizneset për procedurat e kontrollimit të naftës
Prishtinë, 12 prill - Me vendim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kompetencat për inspektimin e cilësisë së karburanteve të naftës iu bartën Doganës së Kosovës, me qëllim të rritjes së kontrollit në pikat doganore për naftën e importuar në Kosovë.
Për të diskutuar mbi dispozitat e Udhëzimit Administrativ për Cilësinë e Karburanteve të Naftës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organozi një diskutim me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës dhe kompanitë e shpërndarjes së naftës.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Bahri Berisha tha se bashkëpunimi i Doganës me sektorin privat është i një rëndësie të veçantë sidomos në aspekt të zbatimit të mirëfilltë të ligjit, zbatim i cili poashtu do të mundësohet përmes laboratorëve të sofistikuar me të cilët është pajisur Dogana dhe bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare.
Berisha theksoi se të gjitha kompanitë e shpërndarjes së naftës fillimisht duhet të jenë të pajisura me deklaratën e konformitetit dhe të cilësisë, 3% e të cilave do tu nënshtrohen kontrollimit të cilësisë brenda ditës.
Kompanitë e shpërndarjes së naftës u njoftuan nga zyrtarë të Doganës mbi procedurat përkatëse për kontrollimin e cilësisë së naftës së importuar në Kosovë, duke shprehur nevojën edhe për një trajnim të veçantë i cili do tiu lehtësojë kryerjen e këtyre procedurave dhe si rezultat zbatimin e mirëfilltë të ligjit.